Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Hoti përballet me pyetjet e opozitës rreth shuarjes së Task Forcës anti-korrupsion, e quan atë jokushtetuese

Kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti, tha se vendimi për themelimin e Task Forcës i vitit 2010 nga qeveria Thaçi është jokushtetues.

Hoti tha se vendimin që e ka marrë tani qeveria është për ta kthyer ligjshmërinë. Ndërsa shtoi se janë duke e kritikuar këtë vendim “ata që kanë frikë që gjërave do t’u shkojmë deri në fund”.

“Krejt policia është në dispozicion të Prokurorisë sipas kërkesave që ka. Plani ynë është i qartë se kah do të lëvizim tutje në bazë të ligjit. Policia do të mundësojë që puna e Task Forcës të vazhdojë e papenguar në gjitha çështjet. Organogrami i policisë duhet të përgatitet sipas ligjit. Organogrami ekzistues i policisë nuk është në përputhje me ligjin. Kjo task forcë ka qenë në ajër e pa definuar në organogramin e policisë”, tha Hoti.

Hoti shtoi se gjatë këtyre ditëve policia do të shkëmbejë letra me prokurorinë për t’u siguruar që puna e Task Forcës të vazhdojë në mënyrë të papenguar deri sa të përgatitet organogrami i ri i policisë.

Hoti tha se çdo interpretim tjetër nuk është i saktë bëhet për qëllime tjera.

“Janë duke e kritiku ata që kanë frikë që gjërave do t’u shkojmë deri në fund koha do t’i tregojë të gjitha dhe keni me pa”, tha Hoti.

Abelard Tahiri nga PDK-ja tha se kanë mundur t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese për ta shpallë antikushtetues.

“Nuk e di si po e merrni guximin për interpretim të këtij vendimi kur keni mujt me ju drejtu Gjykatës Kushtetues për me e sqaruar këtë vendim. Ne shpresojmë që ky degradim të ndalet, ju i keni shkëputur një krah Prokurorisë Speciale, ajo që e ke bërë, është shkëputja e një krahu të hetuesisë, me punën e të cilëve është arrit plotësimi i një kriteri për liberalizimin e vizave”, tha Tahiri.

Edhe Rexhep Selimi nga LVV ka reaguar duke thënë se është dashur ta dërgojnë në Gjykatën Kushtetuese këtë vendim.

“Pse nuk e keni dërguar në Gjykatë Kushtetuese nëse keni mendu që është kundërkushtetues, pse nuk keni reagur më herët pasi kjo Task Forcë ka qenë që nga viti 2010. Pse nuk keni reaguar kur ka qenë kryeministër edhe Isa Mustafa. Për zhbërjen e saj kanë reaguar edhe ambasadat, nuk e di se çfarë përfiton Kosova me mos pasjen e kësaj”, tha Selimi.

Qeveria Hoti shuan Departamentin Special Anti-Korrupsion të themeluar nga Qeveria Thaçi