Hoti pas vërshimeve në Vushtrri, premton fond për dëmet e shkaktuara

Gjatë ditës së djeshme, shumë shtëpi në Komunën e Vushtrrisë u përmbytën nga uji si pasojë e vërshimeve nga të cilat u përfshinë shumë komuna të Kosovës.

Gjatë ditës së sotme, kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti, ka vizituar Komunën e Vushtrrisë për të parë gjendjen me vërshimet.

Hoti nga Vushtrri ka thënë se e mira e vërshimeve është se deri më tani nuk ka viktima me njerëz në asnjë komunë.

Tutje ai ka falënderuar komunat, FSK-në, zjarrfikësit dhe të gjithë vullnetarët të cilët u kanë dalur në ndihmë personave dhe familjeve që kanë pësuar dëme si pasojë e vërshimeve.

Hoti ka folur edhe rreth themelimi të fondit për të ju dal në ndihmë qytetarëve.

“Nesër unë kam ftuar një takim me kryetarët e komunave të cilët e kanë kryer punën e tyre , tash besoj që është momenti të lëvizet përpara me themelimin e komisioneve, për të vlerësuar dëmet materiale dhe ne në qeveri do të themelojmë një fond në kuadër të mundësive që të ju dalim në ndihmë familjeve që kanë nevojë që t`i kthehen jetës në shtëpitë e tyre”, ka thënë Hoti.