Hoti nesër në interpelancë për liqenin e Ujmanit dhe për të pagjeturit

Kuvendi i Kosovës nesër do të mbajë seancë plenare me gjithsej 16 pika të rendit të ditës.

Seanca pritet të mbahet me fillim nga ora 10:00.

Pika të rendit të ditës është interpelanca e kryeministrit Avdullah Hoti, për çështjen “Përfshirja dhe ndarja e liqenit të Ujmanit me Serbinë në dokumentin e zotimeve të 4 shtatorit 2020”, ​të thirrur nga deputeti Liburn Aliu nga Lëvizja Vetëvendosje.

Dhe, interpelanca tjetër e Hotit për çështjen “trajtimi i dëmshëm i temës së të pagjeturve në zotimet e 4 shtatorit, duke e kushtëzuar me personat e zhvendosur”, sipas kërkesës të deputetes Saranda Bogujevci nga LVV.

Ndërkaq, dy seancat e sotme të Kuvendit dështuan për shkak të mungesës së kourimit. Ndër to është edhe projektligji për Rimëkëmbje Ekonomike.

Më poshtë e gjeni rendin e plotë të ditës për këtë seancë:

  1. Deklarimet jashtë rendit të ditës,
  2. Pyetjet parlamentare,
  3. Interpelanca e Kryeministrit të Republikës së Kosovë, z. Avdullah Hoti, sipas kërkesës së deputetit Liburn Aliu, mbështetur edhe nga 6 deputetë të GP të LVV-së, për çështjen “Përfshirja dhe ndarja e liqenit të Ujmanit me Serbinë në dokumentin e zotimeve të 4 shtatorit 2020”, ​
  4. Interpelanca e Kryeministrit të Republikës së Kosovë, z. Avdullah Hoti, sipas kërkesës së deputetes Saranda Bogujevci, mbështetur edhe nga 6 deputetë të GP të LVV-së, për çështjen “Trajtimi i dëmshëm i temës së të pagjeturve në zotimet e 4 shtatorit, duke e kushtëzuar me personat e zhvendosur”,
  5. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr. 07/L-033 për të Drejtën Ndërkombëtare Private,
  6. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr. 07/L-027 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 04/L-008 për Këshillin Ekonomiko-Social,
  7. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr. 07/L-028 për Inspektoratin e Punës,
  8. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr. 07/L-038 për identifikimin elektronik dhe shërbimet e besuara në transaksionet elektronike,
  9. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr. 07/L-012 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.03/L-073 për zgjedhjet e përgjithshme në Republikën e Kosovës, i ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin nr.03/L-256,
  10. Shqyrtimi i Raportit të Buxhetit të Republikës së Kosovës për vitin 2019,
  11. Shqyrtimi i Raportit Vjetor të Organit Shqyrtues të Prokurimit për vitin 2019,
  12. Shqyrtimi i Rekomandimeve të Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike, për raportin e auditimit të Pasqyrave Vjetore Financiare të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë për vitin 2019,
  13. Shqyrtimi i Raportit Vjetor të Komisionit Rregullator të Prokurimit Publik për vitin 2019,
  14. Shqyrtimi i Raportit Vjetor të performancës së Zyrës Kombëtare të Auditimit për vitin 2019,
  15. Shqyrtimi i Raportit Vjetor të Agjencisë së Statistikave të Kosovës për vitin 2019,
  16. Formimi i Komisionit Ad-Hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për dy (2) anëtarë të Komisionit të Pavarur të Mediave, nga radhët e komunitetit shqiptar.