Hoti: LDK e ka të vështirë të mbështesë këtë rishikim të buxhetit

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti e ka komentuar rishikimin e buxhetit dhe ka thënë se ky Projektligj nuk e reflekton asnjë nga premtimet elektorale të Qeverisë dhe programit të saj.

“Programi për rimëkëmbje ekonomike figuron vetëm në Ministrinë e Financave dhe ato janë 133 milion euro ndërsa në konferencat dhe deklarimet e ministrit po dëgjoj shifra të tjera”, ka thënë Hoti

Deputeti po ashtu ka thënë se ky rishikim supozon që pandemia ka përfunduar “edhe pse jemi larg arritjes së cakut për vaksinimin e qytetarëve dhe se shfaqja e një vale tjetër pandemisë do të ketë implikime buxhetore”

“Është shkelje ligjore dhe mos respektim i ligjit shfuqizimi i memorandumeve me komuna dhe gjatë punës që do bëjmë në komision do t’i nxjerri një nga një projektet komunale në të cilat janë shfuqizu këto memorandume dhe do të shohim efektin e vendimeve jo ligjore të ministrave sa I përket realizimit të këtyre projekteve” ka deklaruar ndër të tjera Hoti.

Për arsyet e lartpërmendura, deputeti ka thënë se “LDK e ka të vështirë të mbështesë këtë rishikim të buxhetit, megjithatë do të presim edhe dy leximet tjera”.

Ministri i Financave të Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, gjatë seancës së Kuvendit, paraqiti Projektligjin e buxhetit të rishikuar për vitin 2021.

Ministri i Financave prezanton projektligjin e buxhetit të rishikuar për vitin 2021