Ministri i Financave prezanton projektligjin e buxhetit të rishikuar për vitin 2021

Ministri i Financave të Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, gjatë seancës së Kuvendit, paraqiti Projektligjin e buxhetit të rishikuar për vitin 2021.

Ai tha se me buxhetin e rishikuar për vitin 2021 shpenzimi do të jetë në total 2 miliardë e 516 milionë euro, kurse të hyrat do të jenë 2 miliardë e 43 milionë euro.

“Ne si ministri kemi finalizuar përgatitjet për rishikim të buxhetit 2021 për t’u përgjigjur trendeve ekonomike që janë materializuar gjatë gjysmës së parë të këtij vit”, tha Murati

Nëpërmjet rishikimit të buxhetit për këtë vit Qeveria Kurti 2 synon mposhtjen e pandemisë dhe mbështetjen e sistemit shëndetësor për tu përballur me këtë situatë.

“Prioritet tjetër i rishikimit të këtij buxheti është edhe adresimi i dëmeve ekonomike të shkaktuara nga pandemia dhe njëkohësisht rindërtimi i një ekonomie më të mirë duke marrë parasysh edhe trendin global në këtë aspekt”, shtoi ministri

Sipas tij të hyrat buxhetore kanë treguar një performancë tejet të kënaqshme gjatë 6 muajve të parë të vitit 2021.

Murati tha se numri i udhëtarëve në pikat kufitare në Kosovë tregojnë sinjale pozitive sidomos me ardhjen e mërgatës dhe numrat e lartë që po vinë.