
Foto: KoSSev
Hidhen dy granata dore brenda Postës së Kosovës në Zveçan - Policia jep detaje për sulmin
Objekti i Postës së Kosovës në Zveçan dyshohet se u sulmua me granata dore në orët e para të ditës së sotme, më 01.04.2025.
Për KALLXO.com kjo u konfirmua nga zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e Veriut, Veton Elshani. Nga sulmi përveç dëmeve materiale nuk ka të lënduar.
Elshani tha se në Zveçan u hodhën dy granata të dorës, por vetëm njëra ka shpërthyer.
“Rasti ka ndodhur rreth orës 00:30. Kemi shku në vendin e ngjarjes. Njëra granatë ka shpërthyer dhe tjetrën e kemi shpërthyer ne në mënyrë të kontrolluar. Nuk ka lëndime, ka dëme materiale. Policia po punon për ndriçimin e rastit.” – tha Elshani për KALLXO.com.
Me granata dore nga persona të panjohur ishte sulmuar edhe Stacioni Policor në Zveçan, më 26.11.2024.
Tri ditë më vonë, më 29.11.2024, një granatë dore e llojit M-75 ishte hedhur në ndërtesën e Komunës së Zveçanit.
Dega e Postës së Kosovës në Zveçan u hap më 27 mars, në të njëjtën ditë kur u hap edhe në Zubin Potok – të dyja Komuna në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe.
Më parë në këtë objekt ndodhej Dega e Postës së Serbisë, që u mbyll në maj të vitit të kaluar.