Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Haxhiu: Për projekte të dëmshme nuk i kishin problem procedurat e përshpejtuara

Ministrja e Ministrisë së Drejtësisë, Albulena Haxhiu përmes një postimin në Facebook ka reaguar në lidhje me miratimin e Ligjit për Zgjedhje.

“Kur thërrisnin seancat e jashtëzakonshme për të jetësuar projektet e dëmshme, nuk i kishin fare problem procedurat e përshpejtuara, as a bëheshin ditën a natën. Tani kur në procedura të përshpejtuara po procedohet projektligji që njeh të drejtën e mërgatës për të votuar në ambasada dhe konsulata e quajnë shantazh, kërcënim, autokraci, anarki, arbitraritet dhe gjithçka tjetër”, ka shkruar Haxhiu.

Sipas Haxhiut, nëse për diçka është shterur debati, është pikërisht kjo çështje, pasi që është hera e tretë që i njëjti po procedohet në Kuvend dhe përveç kësaj sipas Haxhiut, debatet për këtë kanë nisur kaherë sepse është kërkesë e vazhdueshme e mërgatës.

“Mërgatës duhet t’i mundësohet votimi në ambasada e konsullata dhe kjo s’ka pse e frikëson askënd”, ka shkruar Haxhiu.

Qeveria e Kosovës është mbledhur sot rreth orës 19:00, për të shqyrtuar vetëm një pikë të rendit të ditës, që të jap mendimin për Ligjin për Zgjedhjet, pas iniciativës së Lëvizjes Vetëvendosje për amandamentim të tij.

Me votat për të të gjithë pjesëmarrësve në këtë mbledhje, ministrave e zëvendësministrave, ky ligj u miratua nga Qeveria.

Albin Kurti, kryeministri i vendit ka folur rreth këtij ligji, për të cilin ka thënë se më pas do ta procedojnë për votim në Kuvendin e Kosovës.

“Ky projektligj për zgjedhjet e përgjithshme nuk është i ri, është një gjë që ishte iniciuar në legjislaturën e gjashtë, kishte vazhduar edhe në legjislaturën e shtatë, ku është përkrahur miratimit i tij. Tani ne po e miratojmë në Qeveri për ta proceduar më pas për votim në Kuvend”, ka thënë Kurti.

Qeveria shtyen para ndryshimet për Ligjin e Zgjedhjeve