Foto: Zyra e Presidentit

Haxhiu i kërkon Thaçit ta bëjë publike letrën për mandatimin e Avdullah Hotit për kryeministër

Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu përmes një postimi në Facebook i ka bërë thirrje presidentin Hashim Thaçi që ta bëjë publike letrën e mandatimit të kandidatit të LDK-së për kryeministër, Avdullah Hotin

“Zyra e Presidentit javës që shkoi u konfirmoi mediave që Presidenti ia kishte kërkuar emrin për mandatar, Kryetarit të LDK, Isa Mustafa. Jemi të gjithë dëshmitarë, sidomos vet gazetarët, se letrat e shkresat për këto tema drejtuar LVV dhe Kryeministrit Kurti, më parë dilnin në media se sa mbërrinin në zyrat tona. Çka u bë tash? Pse nuk e publikojnë këtë shkresë? Pse ky terr informativ? Pse kjo mungesë absolute e transparencës?”, ka shkruar Haxhiu në Facebook.

KALLXO.com ka kërkuar nga zyra e presidentit letrën e mandatimit të kandidatit të LDK-së, Avdullah Hotit, mirëpo zyra e presidentit nuk janë përgjigjur në pyetet e redaksisë.

Javën e kaluar, kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka deklaruar se do ta dërgojë lëndën në Gjykatën Kushtetuese sapo të ketë mandatim zyrtar, të dokumentuar nga ana e Presidentit për kandidatin e LDK-së.

KALLXO.com ka provuar të kontaktojë edhe me zyrtarë të LDK-së, mirëpo nuk kanë qenë të qasshëm.