Foto: Ramush Haradinaj, Facebook

Haradinaj: SHBA dhe BE të prezantojnë një draft për asociacionin

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj ka thënë se Kosova e ka të pamundur pranimin e një drafi jo-kushtetues të asociacionit, mirëpo sipas tij tani duhet që Bashkimi Evropian dhe SHBA-të të hartojnë një propozim.

“Kosova e ka të pamundshme me pranu një draft-statut që bie ndesh me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës edhe po të ishte edhe vullnet i kujtdo qoftë është e pamundshme. Është ditur herët se si do të jetë rezultati i këtij Komisioni, është ditur se çka do të propozojë. Në fakt shkarkimi nuk është më i vlefshëm, pasi ata kanë dhënë produktin, ata e kanë krye pjesën e vet të punës”- tha Haradinaj para gazetarëve.

“Dalja për këtë është prapë te ndërmjetësit, meqenëse amerikanët dhe BE-ja në këtë rast zyra e kancelarit Scholz, presidentit Macron janë në dijeni se statuti i Asociacionit nuk mund të jetë jokushtetues dhe joligjor. Pra, do të ishte e mirë ndërhyrja e tyre në këtë kohë dhe jo lufta mes palëve”- shtoi ai.

Haradinaj ka thënë se çështja e asociacionit në Kosovë, nuk mund të ketë tjetër epilog përpos ati që do të prezantohet nga BE dhe SHBA-të.

“Besoj shumë se zgjidhja tani është te amerikanët dhe BE-ja, që ata vetë të marrin ndërmjetësimin dhe të propozojnë një draft-statut që është në përputhje me Kushtetutën. Shpresoj shumë sidomos edhe te amerikanët që ata të marrin përsipër propozimin e një draft-statuti, i cili është në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, pra nuk ka tjetër epilog. Rrjedha e logjikshme është kjo, unë jo se kam informacione por rrjedha e logjikshme është kjo”- shtoi ai.

“Besoj se edhe e kanë të shkruar amerikanët dhe evropianët një draft-statut që është në përputhje me Kushtetutën, por është dashur të konsumohet propozimi i parë i komisionit i cili është jo kushtetues”, theksoi ai.

Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, sot ka njoftuar se i ka liruar nga detyra anëtarët e ekipit menaxhues pas prezantimit të djeshëm të draftit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Dje u mbajt takimi i radhës i nivelit të lartë mes kryeministrit Albin Kurti, presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Në këtë takim u prezantuar nga ky ekip drafti i asociacionit, për të cilin kryeministri Kurti tha është fundamentalisht i papajtueshëm me Kushtetutën e ligjshmërinë.

“Çfarë dëgjuam e lexuam, është fundamentalisht i papajtueshëm me Kushtetutën, ligjshmërinë, demokracinë, vlerat evropiane, të drejtat e njeriut, të pakicave sipas standardeve evropiane dhe përkundër kësaj do jemi të interesuar të gjejmë zgjidhje andaj me këtë rast propozova një draft-vizion si kryeministër i Kosovës përkitazi me nenin 7 të marrëveshjes bazike duke pasur në konsideratë edhe nenin 10”- ka deklaruar Kurti.

Nikoqiri i këtij takimi, Përfaqësuesi i Lartë i Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, ka thënë se është bërë hap i rëndësishëm simbolik për themelimin e Asociacionit.

“Kryeministri Kurti ndau me ne këndvështrimet e tij për mbrojtjen e të drejtave të komunitetit serb në Kosovë dhe siç pritej këndvështrimet e palëve janë shumë të largëta mes vete sa i përket natyrës së këtij asociacioni, nuk është se kam pritur diçka tjetër isha i bindur që palët do të kenë këndvështrime të ndryshme sa i përket asociacionit”- ka thënë Borrell.

Ndërsa, Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se Kosova nuk do ta përmbushë obligimin e saj të dhjetë vjetëve më parë për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe

Kryeministri Kurti sot ka bërë publik një draft version të tij sesi mund të rregullohet ‘vetmenaxhimi’ i komunitetit serb në Kosovë.

Kurti prezanton versionin e tij për ‘vetmenaxhimin’