Ramush Haradinaj - Foto: KALLXO.com

Haradinaj: Nuk kemi vjedhur te rasti i Bechtel Enka-s

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë se askush nuk ka vjedhur në rastin e Bechtel – Enkas kur Qeveria e Kosovës ka ndarë 53 milion euro shtesë për përfundimin e projektit të autostradës “R6, Prishtinë – Hani i Elezit”.

‘Te Bechtel është rast i humbur, rrezikonim edhe investimet, projektin qindra milionësh që është jetik me e kry.  Ju sigurojë që nuk ka vjedhur askush në këtë rast. Edhe me dashtë me vjedh nuk mundesh. Nuk mundesh me vjedh me Bechtel-in, janë operatorë të mëdhenj, marrin nënkontraktor, punojnë dhe paguajnë tatim Kosovës. Veç po vjedh dikush i Kosovës këtu harrone. Besoni që nuk ka vjedhje këtu, mos ta kishim kry ashtu ishim nda ma keq”, tha kryeministri Haradinaj.

Ai kërkoi nga deputetja e LDK-së, Hykemete Bajrami që t’i ofrojë fakte se Kosova i ka pasur vetëm 14 milion euro borxh Bechtel – Enka-s.

“Nëse paska bo 14 milion, pse nuk është bërë në atë kohë dhe me ja lanë këtë Kosovës në tavolinë e kur vjen kjo qeveria tjetër me pas mundësi me vjedh sipas jush kur ka mundur të kryhet”, deklaroi Haradinaj.

E deputetja Hykemete Bajrami tha se kur flasim për korrupsion kryefjala bie te 53 milionëshi i paguar për kompaninë Bechtel Enka.

“Kur flitet për korrupsion kjo duhet të jetë kryefjala e interpelanca e sotshme”, tha Bajrami.

E kryeministri Haradinaj tha se: “Ky që e keni para vetës që 9 muaj i ka gjetur bombat para vetes”, duke aluduar në të.