Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Haradinaj: Kryeministri duhet të konsultohet me Kuvendin dhe jo me ndjek gazetarët nëpër ara

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj ka kërkuar nga Kryeministri Albin Kurti që në lidhje me procesin e dialogut Kosovë-Serbi të konsultohet dhe të informojë me kohë Kuvendin.

Haradinaj gjatë deklarimeve jashtë rendit të ditës, tha se Kurti duhet të konsultohet me Kuvendin para vendimeve të caktuara që lidhen me procesin e dialogut dhe të sqaroi ato.

“Pika e dytë që duhet të flas është raporti Kuvend-Kryeministër. Një temë si dialogu e obligon kryeministrin që para vendimeve të caktuara me e konsultu dhe informu Kuvendin e Kosovës”, – tha Haradinaj.

Tutje ai ka marrë shembull reagimin e djeshëm të kryeministrit Kurti kur tha se një gaztare e “ndiqte në ara” për ta pyteur për takimin me përfaqësuesin e BE-së, Miroslav Lajçakun.

“Kryeministri i Kosovës është duke dal nga përgjegjësitë e veta. Kryeministri duhet të jep sqarime dhe jo me e ndjek gazetarët. Ndërsa sipas meje, nuk ka dokument franko-gjerman siç u proklamua në media. Ka vetëm një dokument dhe ai është amerikano-evropian, sipas meje” – tha Haradinaj.