Foto: Facebook/ MKRS.
Hapet Pavijoni i Kosovës në Bienalen e Arkitekturës në Venedik
Ministria e Kulturës ka bërë të ditur se sonte është hapur Pavijoni i Kosovës në kuadër të edicionit të 18-të të Bienales së Arkitekturës në Venedik të Italisë.
Këtë edicion, Kosova prezantohet me projektin “RKS2- Transcedent Locality” (RKS2 – Lokaliteti transcendent) të dyshes, Poliksen Qorri-Dragaj dhe Hamdi Qorri.
“Hapja e Pavijonit të Republikës së Kosovës në Ekspozitën e 18-të Ndërkombëtare të Arkitekturës – La Biennale di Venezia. Vendi ynë po prezantohet me ekspozitën ‘RKS² | Lokaliteti Transcendent’ të kuratorëve Poliksen Qorri-Dragaj dhe Hamdi Qorri”- thuhet në njoftimin e MKRS-së në Facebook.
Pavijoni i Kosovës gjendet në pjesën më të njohur turistike të Venedikut- Aresnale.
Bienalja 18-të e Venedikut hapet zyrtarisht nesër, më 20 maj dhe do të mbahet deri më 26 nëntor 2023.
Tema e sivjetme e ekspozitës të cilën e ka përcaktuar Bienalja e Venedikut është “Laboratori i së ardhmes”.
Për herë të parë në këtë bienale Kosova është përfaqësuar në vitin 2012.