Hapet panairi i mjaltit, prodhimeve bujqësore dhe artizanaleve në Skenderaj

Sot është hapur panairi i mjaltit, prodhimeve bujqësore dhe artizanaleve në qytetin e Skenderajt.

Sipas një komunikate për media, përveç kultivuesve të produkteve bujqësore nga kjo komunë, po marrin pjesë me prodhimet e veta bio edhe komunat e tjera në vend.

Kryetari i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari, tha se bujqit dhe fermerët do të kenë gjithmonë mbështetje nga Komuna.

“Në këtë panair, të organizuar nga Komuna e Skenderajt, respektivisht nga Drejtoria për Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim Rural dhe Grupi Lokal i Veprimit, fermerët do të kenë mundësi të promovojmë prodhimet e veta, ndërsa qytetarëve iu ofrohet mundësi e mirë për të blerë produkte origjinale dhe bio”, thuhet në njoftimin e Komunës së Skenderajt në rrjetin social ‘Facebook’.

Tendat janë të vendosura në sheshin e qytetit ‘Adem Jashari’.

Ky panair do të mbahet për tri ditë radhazi.