Ilustrim

Hapësirat publike në Prishtinë do të fillojnë të jenë nën vëzhgimin e kamerave

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama ka njoftuar se kanë arritur që të finalizojnë marrëveshjen për vendosjen e sistemit të kamerave në hapësirat publike të kryeqytetit me Policinë e Kosovës.

“Tash e sa kohë jemi në bashkëpunim të ngushtë me Policinë e Kosovës për hartimin e marrëveshjes për vendosjen e sistemit të kamerave dhe mënyrën e mirëmbajtjes së rrjetit të kamerave në hapësirat publike të Kryeqytetit, marrëveshje e cila u nënshkrua sot” – ka thënë Rama.

Tutje është thënë nga i pari i Prishtinës se bashkë me Policinë janë zotuar se do të koordinojnë aktivitete të përbashkëta për përmirësimin e sigurisë në hapësirat publike të kryeqytetit.

Komuna e Prishtinës planifikon të ndajë 1.2 milion euro për zgjerim të ndriçimit publik dhe vendosje të kamerave të sigurisë në hapësira publike nga buxheti i vitit 2023.

Disa ditë më parë në një park të Prishtinës, një vajzë 11-vjeçare dyshohet se është dhunuar seksualisht nga 5 persona.

Policia tashmë ka arrestuar të dyshuarit, të cilët tashmë janë në paraburgim.