Hapen konsultimet publike për projektligjin e pagave

Sot janë hapur në konsultimet publike për dy projektligjet që pritet të rregullojnë pagat në sektorin publik dhe marrëdhënien e punës së zyrtarit publik në institucionet e Kosovës.

Sipas projektligjit për Pagat në Sektorin Publik të hapur sot, pozita më e paguar në sektorin publik është ajo e presidentit të Kosovës, me koeficient 18.

Pozita e dytë më e paguar sipas projektligjit është e Kryetarit të Gjykatës Kushtetuese 17.5, ndërsa kryetari i Kuvendit dhe kryeministri ndajnë koeficientin e njëjtë, 17.

Nënkryetari i Kuvendit, zëvendëskryeministri dhe zëvendëskryetari kanë koeficientin e njëjtë, pra kanë koeficientin 16.5.

Ndërsa ministri, deputeti dhe gjyqtari i gjykatës kushtetuese kanë koeficientin 16.4.

Koeficientet e tjerë për pozitat e tjera mund t`i gjeni në këtë link.

Vlera e një koeficienti nuk është bërë publike sepse sipas projektligjit vlera monetare e koeficientit përcaktohet me ligjin vjetor të buxhetit.

Ministri i Punëve të Brendshme dhe Administratës, Xhelal Sveçla dje ka thënë se këto projektligje po hapen për diskutim publik të përpiluara mbi disa parime.

“I gjithë ky proces ka qenë i udhëhequr nga parimet e ligjshmërisë, transparencës, para shikueshmërisë dhe mos diskriminimin. Grupi punues ka pasur sfida sepse sistemi mbi të cilin është punuar deri tani ka qenë i ndërtuat në bazë të paarsyeshmërisë”- tha Sveçla.

Projektligjet do të kalojnë procedurat e konsultimeve paraprake dhe publike si dhe pas miratimit në Qeveri e Kuvend do të publikohen në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës kishte shpallur të pavlefshëm Ligjin paraprak për pagat në sektorin publik.

Sipas vendimit të Gjykatës, ligji nuk ishte në përputhshmëri me 11 nene të Kushtetutës së Kosovës dhe shkaktonte “çrregullim të ndarjes së pushteteve në disfavor të gjyqësorit dhe institucioneve të pavarura”.

Ligji për zyrtarët publikë pati hyrë në fuqi më 12 shtator të vitit 2019, por më 19 nëntor 2019, Gjykata Kushtetuese e ka pezulluar.

Qëllimi i projektligjit për pagat në sektorin publik është që të krijoj një sistem të njëtrajtshëm të pagave në sektorin publik, që përfshin parimet dhe rregullat për përcaktim të pagës në sektorin publik, si dhe të krijojë një sistem të pagave dhe shpërblimeve transparent, të menaxhueshëm dhe të aftë për të pasqyruar dhe shpërblyer performancën në sektorin publik, ku elementi kryesor është paga bazë.

Ndërsa qëllimi i projektligjit për zhytarë publik është rregullimi i marrëdhënies së punës së zyrtarit publik në institucionet e Republikës së Kosovës, përkatësisht përcaktimin e rregullave dhe parimeve që rregullojnë pranimin, klasifikimin e pozitave, ndryshimin, përfundimin e marrëdhënies së punës, të drejtat dhe detyrimet në raport me marrëdhënien e punës si dhe çështjet tjera që kanë të bëjnë me marrëdhënien e punës së zyrtarit publik në institucionet e Republikës së Kosovës.

Sveçla: Nesër projektligji për Pagat në Sektorin Publik dhe ai për Zyrtarët Publikë dalin në konsultim publik