Hamburg, gjenden të vdekur dy fëmijë dhe një burrë

Tre persona janë gjetur të vdekur në një ndërtesë në Glinde afër Hamburgut në Gjermani.

Në mesin e tyre dy fëmijë të moshave 11 dhe 13 vjeç dhe një burrë 44 vjeç, deklaruan policia.

Derisa, një grua u gjet me plagë serioze nga arma. Hetimet fillestare për rastin nga ana e Policisë gjermane lidhen me vrasje, raporton media gjermane Br.de.

Sipas të dhënave, të katër personat kanë qenë pjesëtar të një familje, duke shtuar se incidenti mund të ketë pasur prapavijë familjare.

Nga policia është thënë se kanë marrë thirrje të dielën në mbrëmje pas të shtënave në atë zonë.

Kur kishte arritur ekipi i emergjencës tek shtëpia, dy fëmijët dhe burri 44-vjeçar ishin gjetur pa shenja jete, derisa gruaja e moshës 38 vjeçare u dërgua për trajtim në spital pasi mori ndihmën e parë.

Prokurori nuk ka pranuar të tregojë se kush mund të ketë shtënë me armë dhe nëse 44-vjeçari është babai biologjik i fëmijëve.

Zëdhënësi po ashtu nuk komentoi lidhur me nacionalitetin e viktimave.

Ndërsa disa media në Kosovë raportuan se bëhet fjalë për një familje nga Gjakova.