Haki Rugova, LDK, Istog. Foto: Kallxo.com

Haki Rugova mbjellë vetëm 25 fidanë për një vit

Gjatë vitit 2018-të, komuna e Istogut ka mbjellë vetëm 25 fidanë, në katër prej rrugëve të këtij qyteti.

Drejtoria për Planifikim Urban dhe Mjedis në Istog, ka treguar për KALLXO.com, numrin e saktë të fidanëve që janë mbjellë përgjatë vitit 2018.

Edhe pse tashmë jemi në fund të muajit të pestë për vitin 2019-të, Istogu ende nuk ka mbjellë asnjë fidanë për këtë vit.

“Sipas mbikëqyrësit të kontratës për vitin 2018 janë mbjellë 25 fidanë. Konkretisht fidanët janë zëvendësuar me ato të cilat janë dëmtuar, por ka edhe fidanë që janë mbjellë. Në këtë vit nuk është mbjellë asnjë fidan, por sipas planifikimeve dhe kontratës pritet të vazhdohet në bazë të planifikimit 2019”, thuhet në përgjigjen e komunës.

Të pyetur për numrin e fidanëve që janë planifikuar të mbillen deri në përfundim të mandatit, Drejtoria për Planifikim Urban dhe Mjedis, nuk ka dhënë numër konkret, duke thënë se fidanët do të mbillen duke u bazuar në nevojën që paraqitet në terren.

“Të gjitha pozicionet që janë në kontratë dhe janë të paraqitura sipas PMK (planit të menaxhimit të kontratës), do të përfundojnë sipas nevojës që paraqitet në terren”, është shkruar më tej në përgjigje për KALLXO.com.

Këto 25 fidanë, komuna e Istogut kishte vendosur t’i mbjellë përgjatë katër rrugëve të qytetit.

“Konkretisht në zonat urbane të qytetit të Istogut (Rr. Ibrahim Rugova, Rr. Skënderbeu, Rr. Fadil Ferati, Rr. UÇK). Projekti është në kuadër për mirëmbajtje të hapësirave publike nënkupton që operatori ekonomik është përgjegjës për mirëmbajtjen e tyre për periudhën sa e ka kontratën”, është shkruar tutje.

Kryetari i tanishëm i Istogut, Haki Rugova, në intervistën për #DebatPernime në Emisionin Jeta në Kosovë në vitin 2017-të, ishte pyetur për numrin e fidanëve që synonte të mbillte përgjatë mandatit të tij.

Rugova kishte deklaruar se nuk ka informacion se sa fidanë do të mbjellë në periudhën katër vjeçare.

“Me thanë të drejtën nuk e kam idenë sa kam me i mbjellë. Mbjellja e tyre bëhet në bashkëpunim me Agjencionin e Pyjeve se menaxhimin e pyjeve e bëjnë ata”, kishte deklaruar Rugova.

Kontrata kornizë e komunës së Istogut me kompaninë “Kabashi”, e siguruar nga KALLXO.com, ka hyrë në fuqi me 5 mars të vitit 2018 dhe do të përfundojë me 20 prill të vitit 2020.

Kjo kontratë mban titullin “Mirëmbajtja e hapësirave publike në territorin e komunës së Istogut”, ndërkohë që shuma e kësaj kontrate vetëm për periudhën prej 24 muajsh, është 71 mijë e 990 euro.