Haki Abazi - LVV

Haki Abazi i përgjigjet Isa Mustafës në thirrjen për bashkëpunim

Ish-zëvendeskryeministri nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazi, ka reaguar ndaj deklaratës se kreut të LDK-së, Isa Mustafa, në të cilën ky i fundit kërkoi “bashkëpunim dhe besim reciprok” pas përplasjeve mes partnerëve të koalicionit lidhur me pozitën e presidentit të vendit.

“Isa Mustafa e ka kuptuar tani që ka mbetur i vetëm, sepse ka shkelur vullnetin qytetarë, rrëzoi qeverinë legjitime, ka shkelur mbi të gjitha parimet e demokracisë, është bërë sinonim i lojrave të ndyta, e ka goditur nën brez partnerin e përzgjedhur nga vota demokratike. Fitoret e Pirros nuk janë zotësi politike”, ka shkruar Abazi në rrjetin social “Facebook”.

Sipas tij, për bashkërendim duhet shkuar në zgjedhje, sepse siç thotë ai, “në demokraci vendos sovrani e jo teket e individëve”.

“Sot qenka kujtuar se duhet bashkëpunim dhe koordinim, dhe se qenka e rëndësishme që të kemi unitet. Aty ku e ka futur veten dhe servilet e tij është vështirë me dal me fytyrë. E për bashkërendim duhet shkuar në zgjedhje sepse në demokraci vendos sovrani se kush duhet të udheheqë me proceset, jo teket e individëve”, ka shkruar ish-zëvendeskryeministri i qeverisë Kurti.

Kujtojmë se kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa ka kërkuar bashkëpunim dhe besim reciprok të të gjithë akterëve në kuadër të dialogut Kosovë- Serbi. Sipas kreut të LDK-së strategjia e Kosovës në dialogun nuk duhet të bëhet publike tek Serbia përmes studiove televizive.

“Dialogu me Serbinë për njohje reciproke, qoftë në Washington apo në Bruksel do të jetë më përmbajtjesor dhe më i qëndrueshëm, nëse aksionarë të këtij dialogu janë pozita dhe opozita. Ndërkaq, strategjia e dialogut duhet të jetë çështje që diskutohet dhe formulohet nga Kryeministri dhe kabineti i tij i ngushte me partnerët e koalicionit dhe liderët e opozitës”, ka shkruar Mustafa në Facebook.

“Pa marrë parasysh arsyen dhe nevojën e komunikimit me publikun, duhet të kemi kujdes që për strategjinë tonë të mos merr vesh Serbia përmes debateve në studiot tona televizive dhe përplasjeve të brendshme, sepse kjo në start e dëmton pozicionin dialogues të Kryeministrit tonë”, ka theksuar ai. Sipas Mustafës, Qeveria Hoti ka prioritet rimëkëmbjen ekonomike si dhe dialogun me njohje të reciproke.

“Qeverisja e vendit me prioritete luftimi i Pandemisë, rimëkëmbja ekonomike sikurse edhe dialogu për njohje reciproke, kërkon respekt institucional ndaj Qeverisë por gjithsesi edhe brenda Qeverisë. Një politikë qeverisëse dhe një zë qeverisës i bashkërenditur me Kryeministrin”, ka shkruar tutje ai.

Duke ju referuar përplasjeve të fundit brenda koalicionit qeverisës, Mustafa ka thënë se LDK-ja është e gatshme të bëjë rikonfigurime në çdo kohë.

“LDK do të kërkojë që Qeveria  të jetë e gatshme të bëjë rikonfigurime dhe ndryshime në çdo kohë për ata që nuk e kuptojnë rendin qeverisës dhe disiplinën qeverisëse; të cilët ndjekin agjenda personale apo partiake, apo për të cilët vlerësohet se e shpenzojnë pa meritë paranë publike”, ka theksuar ai.

“Kemi premtuar Qeveri që do të jetë efikase në punën e saj,  që do ta luftojë krimin dhe korrupsionin, që do të jetë racionale dhe e përgjegjshme ndaj parasë publike. Asnjë temë tjetër s’mund të na zhvendosë nga ky përcaktim”, ka shtuar Mustafa.

Ky reagim i kreut të LDK-së vjen pas përplasjeve të fundit mes partnerëve të koalicionit lidhur me pozitën e presidentit të vendit.