Hajdari: Kompania që dëshiron të ndërtojë parkun industrial, nga viti i kaluar në pritje të përgjigjes nga Komuna e Lipjanit

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, sot para deputetëve të Kuvendit të Kosovës ka folur për Projektligjin për parqet industriale dhe teknologjike.

Hajdari ka thënë se ky Ligj do të plotësojë dhe do të rregullojë shumë më mirë menaxhimin e parqeve industriale.

“Ligji i ri do të plotësojë dhe do të rregullojë shumë më mirë menaxhimin e parqeve industriale, do të ndihmojë për krijimin e një ekosistemi të strukturuar që në një mënyrë gjithëpërfshirëse do të adresojë të gjitha nevojat e bizneseve, do të ofrojë edhe shërbime për bizneset dhe jo vetëm infrastrukturë dhe për më shumë do të ofrojë mundësi që të japin ndërtesat që i ndërtojnë si fabrika si hipotekë për marrjen e kredive për rritjen e biznesit”- ka shpjeguar ajo.

Hajdari ka thënë se një kompani që është në interes për të ndërtuar parkun industrial për përpunimin e metaleve është në pritje të përgjigjes nga Komuna e Lipjanit që nga gushti i vitit të kaluar.

“Ju tregoj shumë konkret rastin e zonës ekonomike në Lipjan. Kompania që është interesuar për të ndërtuar parkun industrial për punimin e metaleve me 15 biznese është prej gushtit të vitit të kaluar në pritje nga Komuna e Lipjanit për të marrë përgjigje përmes procedurave të tenderit të vonuara dhe të stërvonuara dhe ka kërkuar jo më shumë se pesë hektarë dhe çfarë përgjigje ka marrë, pas gjashtë muajve ka marrë përgjigjen për një hektar”- deklaroi Hajdari.

“A mund të ndërtojë parkun industrial për përpunimin e metaleve në një hektar. Ky Ligj pra do të sjellë një mirëfunksionim të parqeve industriale duke përfshirë pra edhe për investitorët, edhe për institucionet publike dhe më shumë”- shtoi ajo.

Kjo deklaratë e ministres erdhi pas kritikave të deputetit të LDK-së, Avdullah Hoti, i cili kritikoi këtë Projektligj.

Hoti tha se nuk po sillet asgjë e re teksa shtoi se në memorandumin shpjegues nuk ka pasur diskutime me biznese ose me komuna që menaxhojnë zona ekonomike.

“Nuk po sjellet asgjë e re, përkundrazi po degradohet çështja sa i përket zonave ekonomike, promovimit të investimeve dhe punësimit në këto zona sepse nëse e sheh Ligjin e ka shfuqizu pra shfuqizohet një ligj që është shumë më i mirë sesa ky që po e shohim përpara. Në memorandum shpjegues të këtij Ligji nuk ka pasur diskutime përmbajtjesore me biznese ose me komuna që menaxhojnë zona ekonomike”- u shpreh Hoti.

“Nuk hapet mundësi që investitorë privatë të themelojnë dhe administrojnë parqe industriale kështu, nuk ka askund në ekonomi që janë të tregut, sigurisht shteti dhe institucionet shtetërore kanë të drejtë të themelojnë dhe administrojnë parqe industriale por nuk kemi të drejtë të ndalojmë organizime të ndryshme të bizneseve për të themelu dhe meanxhu parqe të ndryshme industriale”- shtoi ai.

Kuvendi i Kosovës ka mbajtur sot seancë me pika të rendit të ditës, të cilat kishin mbetur nga seancat e kaluara.