Guvernatori Mehmeti ka takuar drejtuesit e lartë të FMN-së dhe BB-së

Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Fehmi Mehmeti është takuar me përfaqësues të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe të bankës Botërore në Uashington, në kuadër të takimeve pranverore të FMN-së.

Guvernatori Mehmeti, në takimin me zëvendësdrejtorin menaxhues të FMN-së, Bo Li, kanë diskutuar zhvillimet e fundit makroekonomike në Kosovë, me theks të veçantë qëndrueshmëria e sektorit financiar dhe zhvillimet e avancuara në këtë sektor.

Ndërkaq sipas komunikatës së lëshuar nga BQK, Bo Li ka theksuar mbështetjen e mëtutjeshme për BQK-në edhe në të ardhmen.

Mehmeti është takuar me Drejtorin e Departamentit Evropian të Fondit Monetar Ndërkombëtar, Alfred Kammer, me të cilin kanë diskutuar për zhvillimet e fundit makroekonomike, si dhe zhvillimet në sistemin financiar të Kosovës.

“Ndërsa, temë kryesore e diskutimit mes Guvernatorit Mehmeti dhe Udabir S. Das nga Departamenti i Politikave Monetare dhe Tregjeve të Kapitalit të Fondit Monetar Ndërkombëtar, ka qenë Asistencat Teknike që i janë dhënë BQK-së, si dhe ofrimi i asistencave teknike në realizimin e rekomandimeve të dala nga Shqyrtimi i Stabilitetit të Sistemit Financiar (Financial System Stability Revieë-FSSR)”, thuhet në komunikatë.

Mehmeti ka mbajtur takim edhe me Misionin e Fondit Monetar Ndërkombëtar për Kosovën të udhëhequr nga Gabriel Di Bella, si dhe me Drejtorin e Konstituencës tonë në Fond, Daniel Palotai si dhe është takuar me zëvendëspresidenten e Bankës Botërore për Evropën dhe Azinë Qendrore, Anna Bjerde.

Ditëve në vazhdim, Guvernatori Mehmeti do të zhvillojë takime edhe me përfaqësues tjerë të Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar.