Foto: KALLXO.com

Gruaja shtatzënë e infektuar me COVID- 19 në gjendje stabile

Në Klinikën Infektive në Prishtinë është duke u shëruar edhe një grua shtatzënë e cila ditë më parë doli pozitive me coronavirus.

Infektologia Lindita Ajazi tha për KALLXO.com se gjendja e gruas dhe e bebes është stabile.

“Në Klinikën Infektive është vetëm një grua shtatzënë. Gjendja e saj është stabile”, konfirmoi ajo.

Tutje, Ajazi potencoi se gjinekologët dhe infektologët kanë kontrolluar beben dhe për momentin është në gjendje të mirë.

“Sot kanë kontrolluar gjinekologët dhe infektologët dhe në aspektin gjinekologjik nëna është mirë. Shtatzënia po vazhdon, beba për momentin është në gjendje stabile dhe jemi duke observu vazhdimisht me gjinekologë”, tha Ajazi.

Deri më tani janë 604 persona të infektuar me coronavirus në nivel vendi, 128 të shëruar dhe 18 të vdekur.