Gruaja që u vra sonte e kishte raportuar në korrik të dyshuarin për dhunë në familje

Gruaja e cila u vra në orët e mbrëmjes së sotme, në korrik të këtij viti kishte raportuar në Polici një rast të dhunës në familje. Autori ishte pikërisht i dyshuari të cilin Policia po e kërkon për rastin makabër të kryer sonte në oborrin e QKUK-së.

Rastin për KALLXO.com e ka konfirmuar drejtori i Policisë së Rajonit të Ferizajt, Basri Shabani.

Shabani tha se rasti është trajtuar dhe lënda është dërguar në prokurori. Derisa, për viktimën ai theksoi se nuk ka pranuar të shkojë në strehimore.

”Në muajin e shtatë të këtij viti kemi pasur të raportuar një rast të dhunës në familje. Ky është rasti i vetëm që e kemi për këtë ngjarje në Ferizaj. Rastin e kemi trajtuar dhe është dërguar në prokurori lënda. Viktima nuk ka pranuar që të shkojë në strehimore dhe me dëshirën e saj ajo është dërguar te familjarët e saj në një komunë tjetër”- ka thënë Shabani.

Tutje, Basri Shabani tha se Policia e Rajonit të Ferizajt nuk ka pasur asnjë vendim për urdhër mbrojtje për viktimën.

“Të paktën ne në Ferizaj sepse menjëherë i pyeta edhe hetuesit e rastit, nuk kemi pasur ndonjë vendim për urdhër mbrojtje, të paktën jo që është paraqitur në stacionin policor në Ferizaj” – tha tutje Shabani.

Ngjarja e rëndë e shënuar në orët e mbrëmjes së sotme tashmë është duke u trajtuar nga organet e rendit.

Policia ka arritur që të identifikojë të dyshuarin dhe është në kërkim të tij.

Gruaja e cila ishte shtatzënë është vrarë në oborrin e QKUK-së më saktësisht para Klinikës së Gjinekologjisë.

Vrasja e 35-vjeçares në oborrin e QKUK-së, viktima ishte nën urdhër mbrojtjeje