Foto: Policia e Shtetit

Greqia mbyll kufirin me Shqipërinë, ky është orari

Autoritetet e Greqisë kanë njoftuar se që nga sonte e tutje do të mbyllen pikat kufitare me Shqipërinë ndërmjet orës 22:00 dhe 6:00.

Siç njofton Policia Shqiptare, pika kufitare e Kakavijës dhe Kapshticës do të jenë të mbyllura për udhëtarët dhe automjetet si në hyrje edhe në dalje të Greqisë.

Pikat kufitare do të jenë të hapura në pjesën tjetër të ditës, nga ora 6:00 e mëngjesit deri në 22:00.

Policia e Shqipërisë fton qytetarët dhe drejtuesit e automjeteve që të shmangin lëvizjet dhe udhëtimet gjatë orarit që pikat e kalimit janë të mbyllura pasi mjetet dhe udhëtarët nuk do të lejohen nga Policia Kufitare e Shqipërisë që të parkojnë apo qëndrojnë në territorin doganor e kufitar.

Gjithashtu Policia e Shtetit njofton qytetarët se duke filluar nga data 16 gusht 2020, shtetasit që hynë në Greqi nëpërmjet të njëjtave pika kufitare do të karatinohen për 7 ditë.

Lejohet të kalojnë kufirin vetëm shtetas grekë, shtetas shqiptarë e të huaj me leje qëndrimi greke dhe minoritarë me kartën përkatëse.

Ndërsa, shtetas të BE-së apo me leje qëndrimi në vendet e BE-së dhe vendet e tjera të treta nuk lejohet të hynë nëpërmjet pikave kufitare Kakavijë dhe Kapshticë për në Greqi.

Policia e Shtetit apelon që të gjithë qytetarët të ndjekin udhëzimet e autoriteteve për lëvizjet në kufi si dhe të respektojnë me rigorozitet masat mbrojtëse me qëllim parandalimin e përhapjes së COVID-19.