Gratë në Kuvend reagojnë ndaj uljes së dënimit ndaj Pjetër Ndrecajt për vrasjen e gruas dhe vajzës

Vlora Limani Hanjuni, deputetja e LDK-së, ka reaguar në emër të Grupit të Grave Deputete lidhur me uljen e dënimit ndaj Pjetër Ndrecajn në 24 vjet e gjysmë burg pasi vendimi i Gjykatës së Apelit për dënim me burgim të përjetshëm ishte kthyer në rigjykim nga Gjykata Supreme.

“Si kryesuese e Grupit të Grave Deputete dhe në emër të anëtareve të grupit shpreh shqetësimin lidhur me rastin e uljes së dënimit ndaj dorasit të vrasjes së Valbonës dhe vajzës së saj”, tha ajo.

Ajo kërkoi që institucionet e rendit të zbatojnë me rigorozitet politika të ashpra ndaj çdo dhunuesi.

“Me shpresën që ky reagim mos të mbetët vetëm reagim në fjalë por që institucionet e rendit dhe ligjit ato të cilat janë të thirrur të vendosin drejtësi të fillojnë të zbatojnë me rigorozitet politika të ashpra ndaj çdo dhunuesi e ne veçanti ndaj çdo kujt që shkakton dhunë në familje”, tha ajo.

Limani Hajnuni tha se vetëm në këtë formë rastet e dhunës në familje nuk do të marrin epilog tragjik sic ishte rasti i Valbonës dhe vajzës së saj ose siç janë dhjetëra raste të vrasjes së grave si pasojë e dhunës në familje vetëm këtë vit.

Edhe kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, kërkoi nga deputetët t’i bashkangjiten reagimit.

“Ftoj gjithë deputetet t’i bashkanngjiten reagimit për dhunën mbi baza gjinore”, tha ai.