Ish Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri duke mohuar akuzat në një konferencë për shtyp në Tiranë më 17 tetor 2017. Foto: LSA

Gjykata e Posaçme e Apelit dënon ish-ministrin Saimir Tahiri

Ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri është dënuar nga Apeli i Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Nga ana e togave të zeza u vendos që të lihej në fuqi vendimi i Shkallës së Parë për shpërdorimin e detyrës.

Tahiri u dënua me 5 vite burg dhe për shkak të gjykimit të shkurtuar i ulet 1/3 e dënimit.

Tashmë ish-ministri do të vendoset në qeli për 3 vite e 4 muaj. Ish-ministri do ta vuajë dënimin në një burg të sigurisë së zakonshme.

Vendimi i Gjykatës: Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, pasi dëgjoi relativin e gjyqtarit Enger Pëllumbi, prokurorët, të pandehurit dhe mbrojtësit e tyre, në bazën për zbatim të shkronjave a dhe b të nenit 428 të Kodit të Procedurës Penale, vendosi:

Lënien në fuqi të vendimit numër 60, datë 19/09/2019 të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda , Tiranë, me ndryshimin si më poshtë:

Moszbatimin e nenit 59 të Kodit Penal për të pandehurin, zotin Saimir Tahiri. Vuajtja e dënimit me burgim për të pandehurin, zotin Saimir Tahiri fillon nga dita e ekzekutimit të këtij vendimi dhe kryhet në një burg të sigurisë së zakonshme. Ngarkohet Prokuroria e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar për ekzekutimin e këtij vendimi. Shpenzimet gjyqësore për gjykimin në apel sikurse janë bërë. Këtij vendimi i lejohet rekursi në Gjykatën e Lartë brenda 45 ditëve duke nisur ky afat nga dita e nesërme e njoftimit të vendimit të arsyetuar. U shpall në Tiranë sot, më datë 04/02/2022.

Në mënyrë të përmbledhur, gjykata parashtron këto argumente:

Konkluzionet mbi të pandehurin, zotin Saimir Tahiri. Gjykata konkludoi se në ngarkim të të pandehurit, zotit Saimir Tahiri rezultojnë të provuara këto fakte:

Lidhja e qëndrueshme në kohë dhe e dokumentuar në prova me të pandehurin në procedim të lidhur, zotin Moisi Habilaj dhe me shtetasin, zotin Artan Habilaj.

Lidhja e pashpjegueshme arsyeshëm me ministrin e Brendshëm që janë të njohura në komunitetin e funksionarëve shtetërorë, vendorë dhe qendrorë, kanë krijuar premisë më të favorshme për infiltrimin e grupit kriminal në radhët e punonjësve të policisë dhe të shtetit, me pasojë të drejtpërdrejtë vështirës dhe pengesat shtesë në parandalimin dhe luftimin e këtyre veprimtarive kriminale.

Shoqëruar në të njëjtën periudhë edhe me bashkëpunimin në shkallë të lartë të një numri të lartë punonjësish të policisë së shtetit dhe agjencive të tjera ligjzbatuese.

Shoqëruar në të njëjtën kohë me vazhdimësinë dhe me ushtrimin e suksesshëm të aktivitetit kriminal të trafikimit të narkotikëve nga i pandehuri në procedim të lidhur, zoti Moisi Habilaj e të tjerë, në kuadrin e organizimit kriminal që merren me këtë veprimtari.

Gjykata ka konstatuar dhe mban në vëmendje shkallën e lartë të përhapjes së aktiviteteve të paligjshme, mbështetëse, furnizuese me lëndë të parë të trafikut të narkotikëve, gjë që në vlerësimin e gjykatës krijon lidhjen e drejtpërdrejtë të mosveprimeve në mënyrë të paligjshme të autoriteteve shtetërore dhe pasojës kriminale të ardhur.

Gjykata ka konkluduar se nuk janë marrë masat e duhura për të vënë në eficencë të plotë strukturën më të lartë drejtuese të drejtorisë vendore të Policisë Vlorë për parandalimin dhe zbulimin e këtyre veprave penale, të evidentuar në kundërshtim me ligjin.

Gjykata ka konkluduar sei pandehuri, zoti Saimir Tahiri provohet tej çdo dyshimi të arsyeshëm se ka përfituar nga zoti Moisi Habilaj dhe zoti Artan Habilaj shërbime dhe përfitime të padrejta dhe se njëkohësisht shpërdorimi i detyrës ka dëmtuar interesat e ligjshëm të shtetit.

Për rrjedhojë, zoti Saimir Tahiri ka konsumuar elementë të veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.

Për të pandehurin z.Saimir Tahiri gjykata ka konkluduar se në zbatim të nenit 59 të kodit penal është i pabazuar në ligj e në prova në çështjen konkrete. 1) Duke patur parasysh pozitën dhe pozicionin kushtetues dhe ligjor të pandehurit z.Saimir Tahiri përgjatë kohës së kryerjes së veprës penale, 2) masën e cënimit të interesave shtetërorë si pasojë e cënimit të veprës penale 3) shtrirjen në kohë dhe hapësirë të veprës penale 4) rrezikshmërinë e të pandehurit dhe veprës.

Konkluzionet për të pandehurin Jaerd Çela gjykata konkludoi se në ngarkim të pandehurit rezultojnë të provuara këto fakte:

1) Është ekzekutuar episodi i trafikimit të lëndës narkotike prej 880 kg kanabis sativa me peshkarexhën “Fatima” në datën 5-6 Maj 2015 ku ka pasur një përfshirje të lartë të punonjësve të policisë vendore dhe funksionarë shtetërorë të cilët kanë bashkëpunuar me të pandehurit me procedim, ku në fund kanë vepruar në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal që merrej me këtë veprimtari.

2) Është evidentuar një shkallë mjaft e lartë e kultivimit të kanabis sativa në territorin e drejtorisë së Policisë Vlorë, aktivitete këto të paligjshme furnizuese të drejtpërdrejta me trafikimin e lëndëve narkotike.

3) Gjykata konstaton se këto fakte janë shoqëruar në të njëjtën periudhë me mbajtjen e lidhjeve me të pandehurin, personat e përfshirë në këto veprimtari si dhe mosmarrjen e masave të duhura për të parandaluar dhe zbuluar këto vepra penale në kundërshtim me ligjin.

4) Gjykata konkludoi se i pandehuri z.Jaert Çela ka konsumuar elemente të veprës penale, shpërdorim të detyrës sipas nenit 248 të Kodit Penal.

5) Lidhur me llojin e masave të dënimit të pandehurit z.Jaert Çela Gjykata e Apelit e konsideron të bazuar në ligj dhe në prova dënimin e individualizuar nga Gjykata e Shkallës së Parë.

Argumentet më të detajuara do jepen brenda afatit ligjor.

Menjëherë pas dënimit, Tahiri ka pasur edhe një komunikim të shkurtër me gazetarët.

“Nuk kam çfarë të them, foli drejtësia”, kanë qenë fjalët e tij të fundit me gazetarët./TvKlan