
Milo Gjukanoviq. Foto: gov.me
Gjukanoviq: Vuçiq e do Kosovën pa shqiptarë dhe Malin e Zi pa malazezë
Mali i Zi kohët e fundit është duke u përballur me trazira të mëdha politike dhe etnike duke shkuar edhe në prag të një lufte civile mes rrymave në pushtet, që praktikisht po punojnë për të mohuar shtetësinë e këtij vendi dhe kombin malazez si palë tjetër që duan identitet të veçantë kombëtar, kulturor dhe kishtar.
Javën e kaluar qyteti i Çetinës në Mal të Zi shkoi në prag të konfliktit pasi kreu i kishës ortodokse serbe dhe qeveria malazeze vendosën të hipnin në fron Mitropolitin e ri të Malit të Zi, raporton gazeta kroate jutranji.hr.
Presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviq në një intervistë për gazetën kroate jutranji.hr ka thënë se, politikanët në Serbi po përpiqen ta paraqesin Malin e Zi si një shtet tjetër serb i cili u pavarësua nga pakujdesia dhe gabimet e ish-udhëheqjes së Beogradit.
Ky “gabim” tani po tentohet të përmirësohet me anë të krijimit të ‘”botës serbe” që është një eufemizëm për krijimin e Serbisë së Madhe ka potencuar Gjukanoviq.
Gjukanoviq tutje tha se Serbia vazhdimisht përmes mediave tenton të fus idenë se të drejtat e serbëve në shtete tjera cenohen, njësoj si në fillim të viteve 1990, që arriti të paralizojë vëmendjen e evropianëve.
Gjukanoviq theksoi se pa Malin e Zi në “botën serbe” projekti për Serbinë e Madhe është i vdekur përgjithmonë dhe ne do sigurohemi që të mbetet kështu.
Gjukanoviq për mediumin kroat shtoi se Serbia ka qëndrim të ngjashëm edhe për Kosovën “ata do të donin ta kthenin Kosovën, por pa shqiptarë. Njësoj do e donin edhe Malin e Zi, por pa malazezë”, tha Gjukanoviq.
Presidenti i Malit të Zi shtoi se Vuçiq është i gatshëm ta destabilizojë rajonin nëse Evropa dhe Amerika do ta lejonin këtë, nëse numri i madh i lobistëve që paguan kanë ndikim në politikat e rëndësishme të perëndimit.