Gjilani lavdërohet për lirimin e hapësirave publike

Drejtori i Inspekcionit i Gjilanit, Nevzad Rushiti, ka deklaruar se viti 2019 për këtë komunë do të mbahet në mend si vit i lirimit të hapësirave publike nga uzurpatorët.

“Kemi bërë maksimumin për lirimin e hapësirave publike nga uzurpatorët. Nuk ka qenë e lehtë, por nuk do të ndalemi së zbatuari ligjet në fuqi. Gjatë këtij viti janë rrënuar gjashtë objekte që kanë qenë në pronën publike dhe kanë penguar zhvillimin e projekteve të Gjilanit”, ka thënë Rushiti, në konferencën për media.

Rushiti ka thënë se kanë zbatuar me përpikëri dy vendimet e kryetarit për kujdestaritë gjatë sezonit veror dhe vendimin mbi menaxhimin e ujit të pijshëm.

“Duke e falënderuar kryetarin Haziri për mbështetjen dhe qytetarët për lojalitetin, kemi arritur rezultate të kënaqshme në këtë aspekt”, ka thënë ai.

Sipas njoftimit gjatë vitit 2019 janë shqiptuar 63 gjoba mandatore për mbrojtjen e ambientit dhe keqpërdoruim të ujit të pijshëm, ndërkaq numri total i procesverbaleve i Drejtorisë së Inspekcionit është 1348.

Drejtori i Inspeksionit, Nevzad Rushiti, ka potencuar se Zyra Kombëtare e Auditorit e ka vlerësuar pozitivisht punën e sektorit për ushqim – mishin, grurin dhe prodhimet nga gruri, që operon në kuadër të këtij dikasteri.

Në fund, Rushiti i ka falënderuar edhe organet e sigurisë, Policinë e Kosovës, Prokurorinë dhe Gjykatën Themelore për bashkëpunimin e mirë.