Drejtori i Inspeksionit në Prishtinë dhe Policia vizitojnë zonat pyjore të dy fshatrave komunës, hasin në sipërfaqe të përfshirë nga zjarri - PAMJE

Drejtori i Inspekcionit në Komunën e Prishtinës Florian Dushi së bashku me disa zyrtarë policorë kanë vizituar gjatë ditës së sotme disa zona pyjore të fshatrave Rimanishtë dhe Lebanë ku u raportua për prerje të pyjeve.

“Sot gjatë ditës Drejtori i Drejtorisë së Inspekcionit, Florian Dushi, bashkë me zyrtarë të Stacionit të Policisë – Veri kanë vizituar disa nga zonat pyjore të Komunës së Prishtinës – Rimanishtë dhe Lebanë, zona të cilat ditëve të fundit është raportuar se përmes prerjes po dëmtohen pyjet nga persona të papërgjegjshëm, madje edhe recidivist”, thuhet në njoftim.

Në njoftimin e komunës potencohet se gjatë këtij inspektimi, është hasur në sipërfaqe pyjore të përfshirë nga zjarret ku edhe janë ftuar zjarrfikësit.

Sipas komunës, policia u ftua për të zhvilluar hetime pasi zjarret në këtë stinë nuk janë të zakonshme.

“Gjatë këtij inspektimi është hasur edhe në një sipërfaqe pyjore e cila ishte përfshirë nga zjarret me ç’rast është kërkuar që të shtohen njësitet e zjarrfikësve por që njëkohësisht policia ishte ftuar për të zhvilluar hetimet lidhur me atë se si ka ardhur deri te ky zjarr në një stinë aspak të zakonshme për djegien e pyjeve”, thuhet në njoftim.

Komuna dhe policia janë pajtuar për dënime maskimale për personat që po shkatërrojnë mjedisin.

“Gjatë kësaj vizite dhe takimeve me policinë, është arritur pajtimi që të rritet bashkëpunimi sikur edhe shtohen aktivitetet e rojeve të pyjeve bashkë edhe me policinë e Kosovës me qëllim të parandalimit të prerjes së pyjeve, kapjes dhe dënimit me dënime maksimale të atyre që për interesa të tyre po shkatërrojnë mjedisin tonë të përbashkët”, thuhet më tej në njoftim.

Në këtë drejtim, Drejtoria e Inspekcionit, u bëri ftesë të gjithëve që të heqin dorë nga dëmtimi i mëtutjeshëm i pyjeve si dhe ftoi të gjithë banorët e fshatrave që të bashkëpunojnë me Drejtorinë e Inspekcionit të Komunës së Prishtinës dhe organet e rendit dhe të sigurisë me qëllim të parandalimit të kësaj dukurie që po shkatërron mjedisin dhe me këtë edhe të ardhmen e përbashkët.