Gjilani edhe sot pa asnjë rast me coronavirus, flet kryetari Lutfi Haziri

Qyteti i Gjilanit as sot nuk ka asnjë rast të dyshuar e as të infektuar me coronavirus.

Kështu ka bërë të ditur sot në një konferencë për media, kryetari i kësaj komune, Lutfi Haziri, duke shtuar se gjendja në Gjilan është stabile.

“Komuna e Gjilanit nuk e ka asnjë rast dhe më tutje nuk kemi asnjë rast të dyshimtë këto 24 orët e fundit. Falenderojë qytetarët për lojalitetin dhe solidarietin që kanë treguar edhe në zbatim dhe rekomandimeve e vendimeve tona dhe duke qënduar në shtëpi po vazhdojnë të zbatojnë në mënyrë më të mirë rekomandimet që most ë lejojmë përhapjen e këtij infeksioni”, tha Haziri.

Ai ju bëri apel qytetarëve të Gjilanit që të përshëndetën ‘me dua dhe jo me zemër’.

“Edhe sot ju apelojmë që të solidarizoheni mes vete, që të përshëndeteni me zemer jo më duar. Ta ruani veten dhe fëmijët dhe fiqnjët. Brenda Komunës situata është e qetë dhe pa asnjë incident. Ka shumë pak hyrje në kufi me Maqedoninë e Veriut dhe në kufiri tek Dheu i Bardhë me Serbinë, por nuk ka të bëjë me asnjë lloj shqetësimi”, shtoi Haziri.

Kryetari i Gjilanit po ashtu tha se ka furnizime të mjaftueshme ushqimore për qytetarët dhe s’kanë nevojë për panik.

“Nuk jeni vetëm kudo që jeni, nuk ka nevojë për panik. Furnizime ka me pasur të rregullta”, tha Haziri.

As dje Gjilani nuk e ka pasur asnjë rast të dyshuar me coronavirus dhe të infektuar.

Deri më tani në Kosovë janë identifikuar 16 persona të prekur me virusin COVID-19.

Qytetet si Vitia, Malisheva, Podujeva dhe Klina janë në karantinë pasi në këto qytete u identifikuan disa të prekur me virus.

Ndërkaq, tre persona të prekur me coronavirus janë identifikuar në Aeroportin e Prishtinës pasi erdhën nga Londra.
Qeveria e Kosovës ditë më parë ka shpallur gjendjen emergjente pas situatës me rrezikun e shpërndarjes së këtij virusi.

Momentalisht në botë numërohen mbi 180 mijë të infektuar me këtë virus, dhe mbi 7 mijë kanë vdekur. Vendet më të prekura në botë nga virusi janë Kina dhe Italia.