Spitali Regjional i Gjilanit Foto: KALLXO.com

Gjilan: Numër i madh i të infektuarve me COVID-19, kërkohen më shumë furnizime

Drejtori i Spitalit të Përgjithshëm të Gjilanit, Nisret Hajrullahu, ka folur në lidhje me gjendjen e fundit në spital duke kërkuar më shumë furnizime me materiale të nevojshme për luftimin e COVID-19.

Hajrullahu për KALLXO.com ka thënë se pas shtimit të numrit të rasteve me COVID-19, kanë nevojë për furnizime shtesë.

“Kemi nevojë për më shumë furnizime pasi që sikurse në gjithë Kosovën edhe te ne numri i personave me coronavirus është rritur shumë pasi që operatori ekonomik nuk po arrin të na furnizojë në mënyrë të duhur”, tha drejtori i Spitalit të Gjilanit, Nisret Hajrullahu.

Tutje Drejtori Hajrullahu tha se kanë nevojë edhe për shtretër, kurse me personelin mjekësor tha se qëndrojnë mirë.

“Na duhen akoma më shumë shtretër nëpër gjitha repartet pasi që numri në vazhdimësi po shkon duke u rritur. Sa i përket personelit shëndetësor qëndrojmë mirë pasi që nuk kemi numër të madh të mjekëve të izoluar andaj në këtë drejtim qëndrojmë mirë”, përfundoj Hajrullahu.

Kujtojmë se dje janë konfirmuar 276 raste me COVID-19 në gjithë Kosovën, kurse vetëm në Gjilan 29 persona.