Gjermania arreston 25 të dyshuar për komplot për grushtshtet

Raportet gjermane thonë se grupi i figurave të ekstremit të djathtë dhe ish-ushtarak planifikonte të sulmonte ndërtesën e parlamentit, Reichstag, dhe ta merrte pushtetin.

Një aristokrat i mitur i përshkruar si Princi Heinrich XIII, 71 vjeç, dyshohet se ka qenë qendror në planet grupit të lartcekur.

Sipas prokurorëve federalë, ai është një nga dy udhëheqësit e dyshuar në mesin e të arrestuarve në 11 shtete gjermane.

Komplotuesit thuhet se përfshijnë anëtarë të lëvizjes ekstremiste Reichsbürger [Qytetarët e Rajhut], e cila ka qenë prej kohësh në vështrimin e policisë gjermane për sulme të dhunshme dhe teori konspirative raciste. Ata gjithashtu refuzojnë ta njohin shtetin modern gjerman.

Rreth 50 burra dhe gra dyshohet se kanë qenë pjesë e grupit, që thuhet se kanë komplotuar për ta përmbysur republikën dhe për ta zëvendësuar atë me një shtet të ri të modeluar sipas Gjermanisë së 1871 – një perandori e quajtur Rajhu i Dytë.

“Ne nuk kemi ende një emër për këtë grup”- tha një zëdhënëse e zyrës së prokurorit federal.

Tre mijë oficerë morën pjesë në 130 bastisje në pjesën më të madhe të Gjrmanisë, me dy persona të arrestuar në Austri dhe Itali. Të arrestuarit do të merren në pyetje më vonë gjatë ditës.

Ministri i Drejtësisë Marco Buschmann shkroi në Twitter se një operacion i madh anti-terror po ndodh dhe se ishte planifikuar një sulm i dyshuar i armatosur ndaj organeve kushtetuese.

Zyra e prokurorit federal ka thënë se grupi kishte komplotuar një grushtshteti të dhunshëm që nga nëntori i vitit 2021 dhe anëtarët e tij qendror “Rat” (këshilli) që atëherë kishin mbajtur takime të rregullta.

Ata kishin krijuar tashmë plane për ta sunduar Gjermaninë me departamente që mbulojnë shëndetësinë, drejtësinë dhe çështjet e jashtme, tha prokurori. Anëtarët e kuptuan se mund t’i realizonin qëllimet e tyre vetëm me “mjete ushtarake dhe dhunë kundër përfaqësuesve të shtetit” ku përfshheshin edhe vrasjet.

Hetuesit mendohet se e kanë pranuar indikacionet e para lidhur me komplotin kur zbuluan një komplot rrëmbimi prillin e kaluar që përfshinte një bandë që e quanin veten Patriotët e Bashkuar.

Ata gjithashtu ishin pjesë e skenës së Reichsbürger-it dhe dyshohet se kishin planifikuar ta rrëmbenin ministrin e Shëndetësisë Karl Lauterbach, duke krijuar gjithashtu “kushte të luftës civile” për t’i dhënë fund demokracisë gjermane.

Komploti i fundit thuhet gjithashtu të ketë përfshirë një ish-deputet të AfD-së së ekstremit të djathtë të dhomës së ulët të parlamentit, Bundestagut, i cili u rreshtua për t’u vendosur si ministër i drejtësisë i grupit, me princin Heinrich si udhëheqës.

Heinrich XIII vjen nga një familje e vjetër fisnike e njohur si Shtëpia e Reuss, e cila sundoi mbi pjesë të shtetit modern lindor të Turingisë deri në vitin 1918. Të gjithë anëtarëve meshkuj të familjes iu dha emri Heinrich si dhe një numër.

Me një qeveri në hije, komplotistët dyshohet se kishin plane për një krah ushtarak, me anëtarë aktivë dhe ish-ushtarakë një pjesë të rëndësishme të komplotit për grushtshtet, sipas raporteve. Ata përfshinin ish-ushtarë elitë nga njësitë speciale. Qëllimi i krahut ushtarak ishte t’i eliminonte organet demokratike në nivel lokal, thanë prokurorët.

Një nga ata që janë nën hetim është një anëtar i Forcave Komando Speciale dhe policia e kontrolloi shtëpinë dhe dhomën e tij në bazën ushtarake Graf-Zeppelin në Calë, në jug-perëndim të Shtutgartit./BBC

Përgatiti: Nuhi Shala