Gjendet një burrë pa shenja jete tek penda e Liqenit të Livoqit

Një person është gjetur pa shenja jete tek penda e liqenit të Livoqit sot rreth orës 12:47.

Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Gjilanit, Valon Osmani për Kallxo.com ka bërë të ditur se në vendin e ngjarjes kanë dalë të gjithë njësitë relevante, derisa vdekja e viktimës është konstatuar nga mjeku kujdestar.

“Më datë 15.06.2024 rreth orës 12:47 Stacioni Policor Gjilan ka pranuar informacion se tek penda e fshatit Livoq i Epërm një person mashkull i moshës madhore në murin e kësaj pende është i shtrirë dhe dyshohet se është pa shenja jete. Në vendin e ngjarjes kanë dalë të gjitha njësitet relevante, hetues rajonal, forenzika rajonale, prokurori i shtetit, njësiti i zjarrfikësve dhe ekipi i emergjencës në Gjilan”- ka bërë të ditur Osmani.

Tutje, ai shtoi se “hetues rajonal në bashkëpunim me prokurorin e shtetit kanë ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore në sqarim dhe ndriçim të rrethanave të rastit”.