Gërvalla në takim homologun nga Shqipëria: Sfidë, gjendja e sigurisë në veri të Kosovës

Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, ka pritur në takim ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Igli Hasani.

Në një konferencë për media Gërvalla u shpreh se uroi homologun e saj për pozitën si dhe u pajtuan për bashkërendim të politikave mes dy vendeve.

“Për mua është jo vetëm privilegj të mirëpres në Prishtinë, një personalitet që ka dëshmuar përkushtim për të çuar përpara interesat e dy shtetet tona. E urova Iglin për marrjen e detyrës së tij. U pajtuam që vetëm koordinimi, mbështetja e ndërsjelle, bashkërendimin i politikave, sjell rezultate për dy republikat tona”- u shpreh Gërvalla.

Tutje, ajo shtoi se e njoftoi në detaje për situatën në veri të Kosovës, ndryshimet që kanë ndodhur atje, aktin e agresionit në shtator 2023.

“Për hirë të paqes bashkësia ndërkombëtare duhet të mos heshtë, por të ndëshkojë ashpër çdo tentativë për të destabilizuar vendet fqinje”- shtoi më tej ministrja.

Gërvalla theksoi që gjendja e sigurisë në veri të vendit është ende sfiduese duke përmendur rastin e shpërthimit mbrëmjen e kaluar ku dy persona pësuan lëndime e disa makina dëme materiale.

“Që mbetet sfidë gjendja e sigurisë në veri ka dëshmuar edhe sulmi i natës së fundit, na duhet të mbetemi vigjilent sepse krimi i organizuar bashkë me strukturat e ardhura nga Serbia do të përpiqen për destabilizim në vendin tonë”- shtoi më tej Gërvalla.

Ajo tutje potencoi se u pajtuan me homologun nga Shqipëria, për shkëmbime të diplomatëve të rinj.

“Kemi një mërgatë të përbashkët në numër të madh, dy shtetet tona duhet të ndjejnë përkujdesje për ta”- shtoi tutje ministrja.

“Me ministrin kam ndarë edhe në të kaluarën përvojën që ka Kosova me organizimin e zgjedhjeve jashtë vendit, me ligjin tonë që mundëson votimin nga ambasada e konsullata”- tha Gërvalla.

Derisa, homolgou i saj Igli Hasani tha se vizita e tij në Kosovë është në kuadër të turneut të tij në vende të rajonit, derisa dënoi sulmin a armatosur në veri të Kosovës më 24 shtator 2023.

“Dua të falënderoj motrën time, Donikën për mikpritjen. Vizita ime është pjesë e një tour në vende të rajonit. Do të vizitoj Maqedoninë dhe Malin e Zi. Rajoni po kalon një moment delikat. Ne kemi dënuar ashper sulmin e dhunshëm të orkestruar e të armatosur në veri të vendit. Autorët, organizatorët duhet të mbajnë përgjegjsi dhe të dalin para drejtësisë sa më parë”- u shpreh Hasani.

Ai tutje shtoi se me ministren Gërvalla, diskutuan për mënyrën si të qojnë përpara agjendën e përbashkët.

“Sa i përket integrimit ne BE, është domosdoshmëri për të garantuar paqen. Derisa, çdo gjë që është pranuar në dialog duhet të zbatohet pas asnjë vonesë”- tha ministri Hasani.