Ministrat e Financave të G7, Grupi i Shtatë Vendeve të Industrializuara, Foto: G7 Italy 2024
G7 do të përpiqet të shfrytëzojë pasuritë e ngrira ruse për të ndihmuar Ukrainën
Grupi i Shtatë Vendeve të Industrializuara, po shqyrton alternativa për shfrytëzimin e të ardhurave nga pasuritë e ngrira të Rusisë, në ndihmë të Ukrainës, sipas një deklarate që po përgatitet nga ministrat e Financave të G7-ës, e cila është parë nga agjencia e lajmeve Reuters.
Vendet e G7-ës dhe aleatët e saj ngrinë rreth 300 miliardë pasuri ruse pak kohë pasi Moska nisi agresionin ndaj fqinjit të saj në shkurt të 2022.
“Po bëjmë përparime në diskutimet mbi rrugët e mundshme për shfrytëzimin në dobi të Ukrainës të përfitimeve të jashtëzakonshme që rrjedhin nga pasuritë ruse”, thuhej në deklaratën paraprake.
Negociatorët e G7-ës kanë diskutuar për javë të tëra se si të shfrytëzohen më mirë pasuritë ruse, si llogaritë bankare dhe letrat me vlerë, të cilat janë ngrirë nga institucionet financiare në Evropë.
Shtetet e Bashkuara kanë nxitur partnerët e saj të G7-ës, Japoninë, Gjermaninë, Francën, Britaninë, Italinë dhe Kanadanë që të mbështesin një kredi që mund t’i sigurojë Kievit deri në 50 miliardë dollarë në një afat të afërt.
Deklarata nuk do të pësojë ndryshime të rëndësishme nga varianti përfundimtar që pritet të publikohet më vonë të shtunën, tha një burim i G7-ës.
Ministrave do t’i bashkohet të shtunën ministri i Financave i Ukrainës, Serhiy Marchenko, ndërsa forcat ukrainase po përpiqen të frenojnë ofensivën ruse në veri dhe në lindje të vendit.
Ministrat e financave që takohen në Stresa, në Italinë veriore, synojnë të paraqesin alternativa për çështjen e financimit të Ukrainës, që krerët e qeverive të G7-ës mund t’i shqyrtojnë në një takim të nivelit të lartë në qershor, thuhet në deklaratën paraprake.
Ndërkohë, agjencia e lajmeve TASS citoi ministrin e Financave të Rusisë, Anton Siluanov të paralajmëronte se Rusia do të përgjigjet në mënyrë të ndërsjellë në rast se Perëndimi, përdor në mënyrë të paligjshme, siç u shpreh, ai pasuritë ruse./VoA