Fushë Kosovë, arrestohet burri pasi dyshohet se rrahu gruan dhe vajzën e tij
Gjashtë raste të dhunës në familje dhe një rast i kanosjes janë raportuar në Policinë e Kosovës në 24 orët e fundit.
Një rast është regjistruar në Fushë Kosovë rreth orës 00:25, ku është arrestuar një burrë i dyshuar pasi që i njëjti pas një mosmarrëveshje ka sulmuar fizikisht bashkëshorten dhe vajzën e tij.
Sipas njoftimit të policisë viktimat kanë pranuar tretman mjekësor, ndërsa i dyshuari me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.
Rasti tjetër i dhunës ka ndodhur në Podujevë më 11 nëntor, ndërsa viktima e ka raportuar rastin më 14 nëntor duke thënë se bashkëshortja e tij ka ushtruar dhune psikike ndaj tij.
Tutje policia sqaron se lidhur me rastin, e dyshuara është arrestuar dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt.
Edhe në Drenas ka ndodhur një rast i dhunës në familje.
Dje, një grua ka raportuar se pas një mosmarrëveshje është sulmuar fizikisht nga bashkëshorti i saj.
Sipas policisë viktima ka pranuar tretman mjekësor. I dyshuari është intervistuar dhe me vendim të prokurorit lirohet në procedurë te rregullt.
Rast të dhunës në familje në 24 orëshin e fundit ka pasur edhe në Fushë Kosovë.
Një grua ka raportuar se disa muaj më parë kishte pasur dhunë fizike nga ish bashkëshorti i saj.
Tutje policia sqaron se lidhur me rastin është intervistuar i dyshuari i lartcekur dhe me urdhër të prokurorit kujdestar, rasti procedohet në procedurë të rregullt.
Në Prishtinë, dje rreth orës 17:00 është arrestuar një burrë i dyshuar pasi që i njëjti kishte ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëshortes së tij.
Sipas policisë të dyshuarit i është sekuestruar një armë për të cilën i dyshuari posedonte leje.
Tutje policia sqaron se me vendim të prokurorit kujdestar, i dyshuari është dërguar në mbajtje.
Policia bën të ditur se edhe në Junik dje rreth orës 15:30 është arrestuar një burrë i dyshuar pasi i njëjti kishte ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëshortes së tij.
Tutje policia sqaron se viktimës i është ofruar tretmani mjekësor. I dyshuari me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.
Në 24 orët e fundit në Mitrovicën e Veriut ka ndodhur një rast i kanosjes. Një grua serbe ka raportuar se është kanosur nga ish-partneri i saj.
Sipas policisë, ankueses i është lëshuar urdhër për mbrojtje, ndërsa i dyshuari është kontaktuar përmes telefonit ku është udhëzuar që të paraqitet në stacion policor.