Fushë Kosova dhe lagjja 'Kalabria' pa ujë të pijshëm

Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” ka njoftuar se është ndërprerë furnizimi me ujë të pijshëm për Fushë Kosovën dhe lagjen “Kalabria” në Prishtinë.

Kjo është bërë me qëllim që të ruhet kualiteti i ujit për pije edhe pas rekomandimit nga IKSHPK-ja.

Përveç ndërprerjes së detyrueshme të furnizimit me ujë të pijshëm për këto dy zona, ndërprerje do të kenë edhe Obiliqi dhe Drenasi.

KRU “Prishtina” njofton se si pasojë e reshjeve të dendura të shiut dhe borës këto ditë, janë rritur skajshëm rrjedhjet sipërfaqësore në zonat fushore.

Sipas tyre, të njëjtat kanë përfunduar te kanali i Ibër-Lepencit, kanal prej të cilit merret uji i pa përpunuar për t’u trajtuar pastaj për pije në Fabrikën e Përpunimit të Ujit në Shkabaj.

Si shkak i kësaj, ka sërish rritje të turbullirës në atë nivel që e bën të pamundur trajtimin e ujit për pije komfor standardeve por edhe për ruajtjen e stabilimenteve.

“Në momentin që kushtet lejojnë që uji të trajtohet dhe të garantohet cilësia e duhur pas trajtimit, ne do e rikthejmë gjendjen normale me trajtim dhe furnizim, me ç’rast në këtë situatë të rënduar nga vërshimet ju lusim për durim deri në stabilizim të gjendjes , ngase situata e krijuar nga natyra nuk varet nga ne”, thuhet në njoftimin e KRU “Prishtina”.

Sipas KRU “Prishtina”, gjendja aktuale me vërshime është më e rënduar në Fushë Kosovë ku janë larguar nga prodhimi pjesërisht dy puse nëntokësore, për të ruajtur cilësinë e ujit.

Sistemet prodhuese në Shtime, Lipjan, Peran,Vragoli dhe Miradi të cilat furnizimin e kanë nga puset nëntokësore janë afër rrezikut për t’u vërshuar, andaj KRU “Prishtina” njofton se janë duke punuar me kapacitete të reduktuara.

Fabrikat e trajtimit të ujit në Shkabaj dhe Drenas, të cilat furnizimin e kanë nga Kanali Ibër-Lepenc, janë duke punuar me kapacitet të reduktuar për shkak të turbullirës së lartë në kanal me qëllim që uji të jetë më cilësor dhe i pastër.

Ndërsa sipas të dhënave të KRU “Prishtina”, liqenet artificiale “Badovci” dhe “Batllava” kanë ngritje të nivelit të ujit prej mbi 2 metra.

Sipas tyre, kjo rritje e nivelit nuk ka ndikuar ende në rritje të turbullirës por me ardhjet e shumta në liqe, pritet turbullim i ujit.