Ilustrim

FSShK e indinjuar dënon ashpër sulmin ndaj infermierit të urgjencës në Dragash

Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës (FSShK) përmes një komunikate për media ka dënuar ashpër sulmin ndaj N.H. infermier i urgjencës në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Dragash.

Në komunikatë thuhet se, infermieri është sulmuar rreth orës 07:30 derisa po përfundonte ndërrimin e natës.

Infermieri, sipas njoftimit, është sulmuar verbalisht me fjalë fyese dhe ofenduese nga ana e një pacienti i cili ka shkuar për të marrë shërbim shëndetësor.

Kjo gjë nuk ka përfunduar me kaq me ç’rast pacienti së bashku me djalin e tij, i kanë dal në pritë në rrugë dhe e kanë sulmuar fizikisht infermierin në fjalë, të cilit i kanë shkaktuar lëndime trupore.

Në komunikatë theksohet se, me këtë rast infermieri N.H është dërguar me urgjencë në Spitalin e Prizrenit ku ka marrë ndihmën mjekësore pasi i njëjti siç edhe ka deklaruar në polici, ka pësuar lëndime në kokë dhe në gjunjë.

Si shenjë reagimi nga ana e punëtorëve shëndetësor në oborrin e QKMF-së së Dragashit, është mbajtur një protestë e cila ka zgjatë nga ora 9:00 deri në ora 10:00.

Sulmin e ka dënuar edhe Zyra Regjionale në Prizren e cila ka reaguar duke shprehur shqetësimin lidhur me sulmin fizik ndaj infermierit të urgjencës në QKMF të Dragashit.

“Veprime të tilla ndaj punëtorëve shëndetësor janë dënueshme, të patolerusheme dhe kërkohet nga organet relevante kompetente që të merren me rastin në fjalë duke i vendos para drejtësisë sulmuesit dhe njëherësh punëtorëve shëndetësor t’iu ofrohet siguri më e madhe në vendin e punës”, kanë thënë nga kjo zyrë.