FSK shënon Ditën e Forcës

Forca e Sigurisë së Kosovës ka filluar sot manifestimin e Ditës së Forcës në kazermën “Adem Jashari”, në Prishtinë  me një minutë heshtje për viktimat e tërmetit i cili ka goditur dje Republikën e Shqipërisë.

Në manifestimin e sotëm, FSK u paraqit me emblema dhe flamuj të ri, të dekretuara për çdo njësi nga presidenti Hashim Thaçi.

Në këtë manifestim, ka folur presidenti i vendim, Hashim Thaçi, duke ju dhënë kurajë ushtarëve të cilët ndodhen në Shqipëri pas tërmetit të djeshëm.

“Ditën e FSK-së po e shënojmë si ditën e Ushtrisë së Kosovës, por kjo festë natyrisht se shënohet edhe me jubile të ditëlindjes së komandantit legjendar, Adem Jashari. Edhe njëherë nga këtu po ju japim kurajo ushtarëve tanë në Shqipëri, jemi bashkë ashtu siç kemi qenë gjithmonë, siç kanë qenë edhe breza të tërë para nesh” ka thënë Thaçi.

Ai tutje ka thënë se FSK ka bërë vazhdimisht punë të mrekullueshme, ka kryer me përgjegjësi dhe nivel të lartë dhe paanshmëri çdo detyrë që i është dhënë deri më tani, duke u bërë kështu institucioni i cili po kontribuon për paqen dhe stabilitetin në Kosovë.

“Kërkoj nga ju që të punoni edhe më shumë, dhe të jeni edhe më të përkushtuar sepse shumë shpejtë do të jeni krah për krah me ushtri të tjera”, ka thënë presidenti.

Ndërsa, kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj është shprehur krenar që sot Ushtria jonë është vlerë e shtuar e sigurisë në rajon dhe botë.

“Të jesh në paqe me vetën dhe fqinjët, do të thotë se vlerat tona të traditës dhe lufta e shenjtë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e prirë nga Komandanti legjendar Adem Jashari, janë vlera përbërëse të lirisë, por po ashtu edhe vlera që bashkohen me vlerat perëndimore”, ka thënë Haradinaj.

Haradinaj ka folur edhe për gatishmërinë e  Ushtrisë së Kosovës për t’i dalur në ndihmë Republikës së Shqipërisë pas goditjes nga tërmeti.

“Ushtria e Kosovës me vendim të Institucioneve të vendit shkoi në Shqipëri në bazë të Ligjit për pjesëmarrjen e FSK-së në operacione jashtë vendit për kërkim dhe shpëtim, si dëshmi se jemi të vlefshëm për vendin, për bashkëkombësit tanë, por edhe për tërë rajonin për çfarëdo emergjencash të çfarëdo natyre”, ka thënë Haradinaj.

Ndërsa Komandanti i Forcë së Sigurisë së Kosovës, Rrahman Rama, ka folur për sukseset e arritur nga FSK.

“Me krenari iu njoftoj që FSK me të gjitha kapacitetet e saj të nivelit operacional taktik ka arritur me sukses të përmbush objektivat e caktuara vjetore. FSK ka arritur të themelojë shtabin e përgjithshëm dhe kapacitetet e Gardës kombëtare, e po ashtu ka realizuar me sukses planin vjetor të rekrutimit, duke rekrutuar 700 ushtarë të rinj”, ka thënë Rama.

Ai tutje ka shtuar se FSK do të qëndroj pranë Republikës së Shqipërisë pas goditjes nga tërmeti.

“Kontingjenti i Task Forcës arriti i pari të dislokoj  në zonat e dëmtuara dhe filloi menjëherë operacionin e kërkim shpëtimit, dhe varësisht nga nevojat që o të paraqiten në teren në jemi të gatshëm për përkrahje shtesë”, ka thënë Rama.