Franca emëroi emisarin për Ballkanin Perëndimor

Ministrja për Evropën dhe Punëve të Jashtme në Francë, Catherine Colonna ka emëruar diplomatin René Troccaz, për të shërbyer si i dërguar i posaçëm për Ballkanin Perëndimor.

Sipas një komunikate të Ministrisë, emërimi i Troccaz është në përputhje me përfshirjen e shtuar të Francës në rajon në sfondin e afrimit të Ballkanit Perëndimor me Bashkimin Europian.

“Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme emëroi René Troccaz për të shërbyer si i dërguar i posaçëm për Ballkanin Perëndimor. Emërimi i tij është në përputhje me përfshirjen e shtuar të Francës në rajon në sfondin e afrimit të Ballkanit Perëndimor me BE-në, të cilën ne e mbështesim”- thuhet në njoftim.

Në komunikatë bëhet e ditur se emisari do të përfshihet në çështjet më të rëndësishme të politikës rajonale, në koordinim me homologët e tij evropianë dhe amerikanë.

“I dërguari i posaçëm do të përfshihet në çështjet më të rëndësishme të politikës rajonale, në koordinim me homologët e tij evropianë dhe amerikanë. Ai do të monitorojë gjithashtu nismat e bashkëpunimit rajonal, veçanërisht Procesin e Berlinit dhe do të jetë në gjendje të përfaqësojë Francën në ngjarjet dhe forumet ceremoniale të nivelit të lartë”- theksohet në komunikatë.