Fotoreporteri që dëshmoi masakrën në Prekaz dhe Abri kthehet në Kosovë: U shokova nga brutaliteti

Wade Goddard, fotograf i ballinave të New York Times është kthyer në Kosovë pas 23 vjetëve.

Me lot në sy Goddard, në një video të shpërndarë nga kryeministri Albin Kurti flet për ngjarjet që i kishte dëshmuar me fotografitë e tij, që nga sulmi ndaj familjes Jashari në Prekaz e deri tek liria e Kosovës.

“Ajo(Donjeta) ishte thuajse 7 vjeç, (Gentijana) ishte gati 8 vjeçe. Jam i befasuar që u emocionova kaq shumë, nuk e prisja” – thotë Goddard.

Derisa flet për fotografitë e tij, Goddard kujton se çfarë kishte parë dhe se si e kujton atë kohë.

 

“Kur i pash trupat e nënës dhe vajzave, ishte e qartë se kishin ikur dhe kishin provuar të fshihen në shkurre. Ishte e qartë që i kërkuan ato dhe i qëlluan me armë aty ku i gjetën. Kishte edhe anëtarë tjerë të familjes, të vrarë, mund ta shihje se edhe ata ishin munduar të fshiheshin në pyll. U shokova nga brutaliteti. Ishte edhe një bebe e sapolindur që ishte vrarë” – deklaroi Goddard.

Goddard thotë se kur i pa trupat e pajetë u shoku aq sa që i humbi aftësitë e fotografimit.

“Bota nuk mund të thoshte ‘nuk e kemi ditur’, Informacioni i ishte i qasshëm dhe u siguruam për këtë” – deklaroi ai.

Goddard takoi të mbijetuarit të masakrës të cilën në vitin 1998 e dëshmoi para botës me fotografitë e tij.

Goddard sot jeton në Kroaci, ku ka të hapur një muze fotografish.

Vuajtjet e shqiptarëve të Kosovës mbi 25 vjet më parë, ai i dokumentoi në librin e tij “Lufta e Kosovës”, i cili u publikua në vitin 2018.

Një nga të mbijetuarit e masakrës së Abrisë, të cilën e dëshmoi Goddard, ishte Liridona Deliu, si një nga katër të mbijetuarit më 26.09.1998.

01.06.2024, Liridona në një emision të KallxoPërnime kishte rrëfyer se kur ndodhi masakra ishte 3 vjeçe e gjysmë dhe se e kujton momentin kur u dërguan në një lagje tjetër nga ushtria serbe.

Në anën tjetër, një ‘Shtëpi e Gazetarëve’ është hapur në Prishtinë më 10.06.2024 në të cilën po prezantohet puna e gazetarëve,  fotografëve dhe artefakte të punonjësve të mediave, punë këto që vendosen krahas veprave të artit bashkëkohor që reflektojnë mbi ndikimin e luftës në dekadat që pasuan.

Ekspozita “Reporting House” u prodhua nga BIRN Kosova, KALLXO.com, Bienalja e Prishtinës dhe Paper Gallery.

Si pjesë e kësaj ekspozite prezantohen rreth 150 storje televizive të rrjeteve televizive botërore që janë transmetuar me xhirime për Kosovën ndërmjet viteve 1992 dhe 1999 nga BBC, Das Erste (TV publik gjerman), Nippon TV (NHK, TV publik japonez), RTE (TV publik irlandez), EO 2 Vandaag (TV publik holandez), Tele 5 (TV spanjoll) dhe Frontline Television News.

Këto reportazhe promovojnë punën e gazetarëve, fotografëve, operatorëve të kamerave dhe përkthyesve e producentëve lokalë që punuan në to.

Ish-gazetari i BBC-së, David Loyn që kishte raportuar për luftën në vitin 1999, kishte ardhur në Kosovë më 10.06.2024 për hapjen e ekspozitës ‘Reporting House’, e që pjesë e kësaj ekspozite është edhe puna e tij.

Kontribuesit në këtë ekspozitë janë Jeremy Boëen, Ben Brown, Ilaz Bylykbashi, Thomas Dvorzak, Alan Chin, Donika Shahini, Paul Loëe, Max Stahl, Ridvan Slivova, David Loyn, Jehona Lushaku, Besnik Mehmeti, Nik Millard, Andrew Testa, Pal S. Refsdal, Flaka Surroi, Hazir Reka, Marija Ristiq, Fred Scott, Eliza Hoxha, Vaughan Smith, Nora Ëeller, Sean Ëhelan, Goran Tomaseviq, Sami Mustafa, Alban Bujari, Linda Gusia, Eki Rrahmani, Gazmend Avdiu, detektor.ba, Srebrenica Memorial Center, Anibar, Koha Ditore, RTK dhe Oral History Kosovo.

Ekspozita do të jetë e hapur deri në gjysmë të muajit shtator.

Hapet zyrtarisht dhe për publikun ekspozita “Reporting House”