(FOTO) Shkatërrohen dy parcela me bimë narkotike në Koshare

Policia e Kosovës ka zbuluar e më pas ka shkatërruar dy parcela me bimë narkotike të llojit Kanabis Sativa, gjatë ditës së sotme në brezin kufitar mes Kosovës e Shqipërisë, në zonën e Koshares.

Sipas njoftimit nga Policia bërë për media, në dy parcelat janë gjetur 60 bimë të tilla me gjatësi nga 50 deri në 120 centimetra.

“Në vendin e ngjarjes kane dalë njësitet relevante të policisë: Zyrtarë të Drejtorisë për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë-Gjakovë, forenzika dhe zyrtarë policorë nga Drejtoria Rajonale e Policisë Kufitare ‘Perëndimi’ Gjakovë. Veprimet policore janë bërë në koordinim me Prokurorin e Prokurorisë Themelore-Gjakovë, pas konsultimit më të është iniciuar rasti ‘kultivimi i bimës së hashashit, shkurres së kokainës ose bimëve të kanabisit”, thuhet në njoftim.

Sipas Policisë, bimët e gjetura janë shkatërruar me djegie në një vend të sigurt.

Ndërsa është bërë e ditur se hetuesit e Policisë kanë bashkëpunuar dhe janë mbështetur edhe nga Policia e Shqipërisë.

“Policia e Kosovës, në këtë rast policia kufitare, do të vazhdojë të jetë e përkushtuar në luftimin e çdo dukurie trans-kufitare përfshirë edhe kultivimin e bimëve narkotike”, thuhet në fund të njoftimit, në të cilin nuk përmendet nëse është arrestuar ndonjë person apo nëse ka të dyshuar për këtë vepër.