Foto: Policia e Shtetit

Policia e Shtetit brenda një jave asgjëson mijëra bimë narkotike të llojit kanabis

Me qëllim të asgjësimit të bimëve narkotike, Policia e Shtetit vetëm gjatë kësaj jave ka angazhuar më shumë se 4 mijë zyrtarë policor e ka përdorur më shumë se 20 dronë të cilësisë së lartë.

Këto angazhime policore rezultuan me asgjësimin e më shumë se 10 mijë bimëve narkotike kanabis sativa e u arrestuan dy persona.

Policia e Shtetit ka njoftuar se ka shpallur në kërkim pesë persona të tjerë ndërsa ka liruar në procedurë të rregullt gjashtë qytetarë.

Tutje sipas njoftimit të policisë në mesin e personave të dyshuar ishte edhe një person tjetër i cili u procedua penalisht për moskallëzim të krimit.

Në mesin e qytetarëve që u liruan në procedurë te rregullt, në njoftimin e Policisë është thënë se në mesin e tyre janë edhe tre kryetarë fshatrash dhe dy inspektorë pyjesh.

Aksionet e Policisë së Shtetit u zhvilluan në malësinë e Krujës, në Thumanë, në qarkun Shkodër, në qarkun Lezhë dhe në Tropojë në terrene të vështira malore dhe në fshatra të thella.

“Si rezultat i kontrolleve, janë asgjësuar në total 10 mijë e 106 bimë narkotike cannabis sativa” – ka thënë Policia.

Policia ka thënë se në malësinë e Krujës dhe në Thumanë u asgjësuan 6 mijë bimë narkotike kanabis që u gjetën të kultivuara në zona të ndryshme.

Tutje është thënë se si autor i dyshuar për kultivimin e 305 prej këtyre bimëve, u arrestua A.D., 27-vjeçar e gjithashtu, për këtë rast, ka nisur procedimi në gjendje të lirë të R.K., për moskallzim krimi.

Sipas Policisë, në qarkun Shkodër janë asgjësuar në total 3 mijë e 312 bimë narkotike që u gjetën të kultivuara në fshatra të ndryshme të bashkive Shkodër, Vau i Dejës dhe Pukë.

“Si autor i dyshuar i rastit të kultivimit të bimëve narkotike, në fshatin Gjegjan, Pukë, u arrestua P.M., 64-vjeçar, ndërsa për rastin e kultivimit në fshatin Mnelë e Vogël, Vau i Dejës, u shpall në kërkim shtetasi N.M., 42-vjeçar” – thuhet në njoftim.

Sipas Policisë, në qarkun Lezhë, në fshatra të ndryshme në Mirditë, Kurbin dhe Lezhë u gjetën të kultivuara dhe u asgjësuan 600 bimë të dyshuara narkotike cannabis sativa.

Në vijim të veprimeve procedurale për rastet e evidentuara gjatë kësaj faze, u shpallën në kërkim shtetasit policia shpalli në kërkim katër të dyshuar.

B.Z., 46-vjeç,ar K.S., 26-vjeçar, K.S., 21-vjeçar dhe K.B., 57-vjeçar, të gjithë banues në Kurbin, autorë të dyshuar të kultivimit të bimëve narkotike që janë gjetur në fshatrat Vinjoll dhe Gernac, Kurbin janë personat që u shpallën në kërkim.

“Gjithashtu, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit I.B., B.P. dhe L P., kryetarë të fshatrave Gernac, Vinjoll dhe Krajen dhe P.Gj. dhe P.S., inspektorë pyjesh në zonat ku janë gjetur bimë narkotike” – ka thënë Policia.

Tutje është njoftuar se në zona malore të rrethit të Tropojës u asgjësuan 194 bimë narkotike që u gjetën të kultivuara në 2 fshatra të bashkisë Tropojë.

Policia ka thënë se po vijojnë punën për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim, identifikimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

E gjithë kjo punë është bërë në kuadër të megaoperacionit policor antikanabis i koduar “FOKUSI, i cili po vijon pandërprerë në të gjithë vendin, me shërbime nga toka, monitorim nga ajri me dronët e Policisë, si dhe përmes bashkëpunimit të ngushtë me partnerët e GDF-së.