FOTO - Policia e Kosovës në zbatim të masave të Qeverisë

Policia e Kosovës përmes një komunikate për media ka njoftuar se ka filluar aktivitet për mbikëqyrjen e respektimit të masave të vendosura nga Qeveria e Kosovës për parandalimin e COVID-19.

“Policia e Kosovës referuar vendimeve të institucioneve të Republikës së Kosovës si dhe referuar  planifikimeve operacionale policore, të gjitha aktivitetet dhe masat e deritanishme po i ndërmerr në koordinim të plotë me të gjitha institucionet kompetente në fushën e shëndetësisë dhe institucionet e tjera relevante, konform angazhimeve dhe detyrave sipas planit për gatishmëri dhe reagim”, thuhet në komunikatë.

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se me qëllim të respektimit të masave mbrojtëse, parandalimit të përhapjes së pandemisë duke vënë në pah interesin e shëndetit publik, është duke realizuar detyra konkrete në gjithë territorin e Kosovës, duke aplikuar kontrolle të përbashkëta në trafik, në transportin e udhëtarëve, në qendra tregtare, lokale afariste etj., përfshirë edhe shqiptimin e gjobave ndaj atyre që nuk zbatojnë këto masa.

“Policia e Kosovës apelon tek të gjithë qytetarët që t’u përmbahen rregullave dhe t’i respektojnë masat anti-COVID, të mbajnë distancën, të vendosin maskën dhe të pastrojnë duart”, thuhet në apelin e policisë.

Më poshtë mund të gjeni fotografi gjatë realizimit të detyrave policore në terren nga të gjitha drejtoritë rajonale policore.