Formohet Bordi Këshillëdhënës për sektorin privat në OEK

Oda Ekonomike e Kosovës ka bërë të ditur se ka formuar Bordit Këshillëdhënës për sektorin privat.

Kryesues i Bordit do të jetë Gary Dirks, ekspert me përvojë 34 vjeçare në fushën e biznesit.

Kryetari i Odes Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, ka thënë se” “Qëllimi i krijimit të këtij Bordi është të propozojmë zgjidhje për nxitjen e investimeve dhe për të rritur eksportin e mallrave”.

Ai ka shtuar se sektori privat duhet të jetë prioritet i qeverisë së ardhshme dhe se është me rëndësi  vazhdimi i reformave ekonomike që kanë ndodhur në qeveritë e kaluara, pra qeveria e ardhshme nuk duhet të ndërpres ato reforma.

Sa i përket bilancit të eksportit të mallrave, Rukiqi është shprehur se: “Edhe pse ka rritje të eksportit, rritja shumë e madhe e importit e lë nën hije rritjen e eksportit”.

Në lidhje me pengesat për eksportimin e mallrave, kryetari i Odës Ekonomike ka thënë se pengesat më të mëdha për eksportimin e mallrave në tregjet Evropiane dhe më gjerë janë mungesa e certifikimit dhe standardizimit.

Ndërsa kryetari i sapo zgjedhur i Bordit Këshillëdhënës për sektorin privat, Gary Dirks, ka thënë se në Kosovë ka parë potencial dhe dinamikë për zhvillim ekonomik dhe duke parë këtë potencial ka pranuar të jetë kryetar i Bordit.

Ai është shprehur falënderues që i është ofruar mundësia për të përkrahur zhvillimin ekonomik të Kosovës.