Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier në takim të përbashkët me përfaqësues të bizneseve në Kosovë. FOTO: ZKM.

Kryeministri Kurti dhe ambasadori amerikan Hovenier zhvilluan takim me përfaqësues të bizneseve në Kosovë

Kryeministri Albin Kurti bashkë me ambasadorin amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, kanë zhvilluar sot një takim të përbashkët me përfaqësues të bizneseve.

Sipas komunikatës së lëshuar nga Zyra e Kryeministrit, në këtë takim u diskutua për mundësitë dhe sfidat në sektorin privat, me theks te financimi i zgjerimit të biznesit dhe fuqia punëtore, si dhe për mënyrat se si të tërhiqen edhe më shumë investime të huaja direkte në Kosovë.

Qëllimi i këtij takimi, sipas njoftimit, ishte avancimi i komunikimit ndërmjet Qeverisë dhe sektorit privat, si hap drejt forcimit të bashkëpunimit me sektorin privat për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik të vendit.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier në takim të përbashkët me përfaqësues të bizneseve në Kosovë. FOTO: ZKM.

“Kryeministri Kurti nënvizoi punën, veprimet dhe hapat e ndërmarrë nga Qeveria për lidhjen ndërmjet edukimit dhe tregut, përmes arsimit dual, i cili tashmë është pilotuar në këtë vit akademik që po e përmbyllim në gjithsej katër shkolla profesionale, në katër programe në tre komuna të ndryshme”- thuhet në komunikatë.

Tutje është bërë e ditur se kreu i Qeverisë i njoftoi edhe për mundësitë që ofron Fondi Sovran, ligji për të cilin së fundmi është miratuar në Qeveri, dhe potencialin që paraqet sektori i energjisë, duke marrë parasysh orientimin e Qeverisë drejt energjisë së ripërtëritshme.

Në këtë takim, krahas ambasadorit Hovenier, ishin edhe përfaqësues të USAID-it e të Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier në takim të përbashkët me përfaqësues të bizneseve në Kosovë. FOTO: ZKM.