Foto: KALLXO.com

Hetimet e prokurorisë japin detaje se si dyshohet të këtë ndodhur vrasja e dyfishtë në Pejë

Hetimet e Prokurorisë së Pejës thonë se ekziston dyshimi se i pandehuri Avni Ademaj ka privuar nga jeta Blerand Kadriajn, ish-kandidat i PDK-së për kryetar të Deçanit.

Avni Ademaj është vëllai i të ndjerit Astrit Ademaj, kandidat për kryetar të Pejës nga radhët e PDK-së.

Prokuroria thotë se ditën kritike ishte lënë një takim mes viktimës Blerand Kadriaj dhe Astrit Ademajt, në lokalin ku punonte i pandehuri Avni Ademaj.

Në lokalin ku ka ndodhur ngjarja, viktima Blerand Kadriaj ka shkuar me dëshmitarin L. L., për të biseduar lidhur me një mosmarrëveshje që e kishte pasur me viktimën Astrit Ademaj.

Prezent gjatë takimit kanë qenë edhe i pandehuri Avni Ademaj dhe dëshmitari L. L.

Sipas prokurorisë viktimat kanë filluar të fjalosen ku është acaruar situata dhe dy viktimat i kanë nxjerrë revolet duke futur fishekët në tytë.

Dosja e prokurorisë sqaron se gjatë fjalosjes, i pandehuri Avni Ademaj, ia merr armën viktimës Astrit Ademaj dhe me të njëjtën fillon të gjuajë në drejtim të të ndjerit Blerand Kadriaj, i cili po ashtu në të njëjtën kohë ka shtënë në drejtim të viktimës Astrit Ademaj dhe të dyshuarit Avni Ademaj, ku si pasojë e goditjeve të marra nga arma e zjarrit të të pandehurit Avni Ademaj është privuar nga jeta viktima Blerand Kadriaj.

Kurse viktima Astrit Ademaj sipas prokurorisë ka vdekur nga plagët e armës së viktimës Blerand Kadriaj.

Gjykata pritet të vendosë për kërkesën e prokurorisë për masën e paraburgimit.

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi për këtë rast.