Fillon nënshkrimi i kontratave të para për adoptimin e qenve endacakë, gjoba për ata që nuk i përmbahen rregullave

Dy kontratat e para për adoptimin e qenve endacakë janë nënshkruar të hënën. Për këto kontrata, Kryetari i Prishtinës tha se ka përgjegjësi të dyanshme nga Komuna dhe nga personat të cilët duan të adoptojnë qen endacakë.

Sipas tij, kryeqyteti ka bërë investimet më të mëdha se të gjitha komunat e tjera dhe Qeveria e Kosovës.

Ai ka thënë se që nga momenti kur kanë marrë qeverisjen në kryeqytet, për zgjidhjen e këtij problemi, janë shpenzuar 1.6 milionë euro.

Rama është shprehur falënderues për qytetarët që kanë treguar interes për të adoptuar qen endacakë, të cilët tha se kanë përgjegjësi pas këtij procesi.

“Secili adoptues ka përgjegjësitë e veta, që me i trajtu qentë në mënyrë humane, pra me kushte të mira, me ushqim e po ashtu edhe me trajtime veterinare, të cilat munden me qenë të nevojshme për secilin qen që adoptohet”- ka thënë Kryetari Rama.

Në rast që qentë gjenden në rrugë pas adoptimit tha do të ketë gjoba prej 1 mijë deri në 3 mijë euro.

“Mos me i lëshu prapë në rrugë sepse tash është përgjegjësi e qytetarëve që adoptojnë dhe gjobat janë shumë të nalta, nëse këta qen mandej, gjenden në rrugë”-ka shtuar ai.

Adoptimi ka thënë se është aspekt human e jo çështje e pasurimit.

I pari i Prishtinës theksoi se numri i qenve endacakë në Prishtinë është 3000 deri 3500.

Tutje ai ka shtuar se janë krijuar pika të tjera për ushqim dhe ujë, për trajtim të qenve në mënyrë më humane.

Kryetari ka thënë se arsyeja kyçe e këtij procesi është krijimi i sigurisë shtesë për qytetarët.

Si subvencion për këdo që do të adoptojë qen do t’i ofrohen 50 euro.