Ministria e Shëndetësisë - Foto: KALLXO.com

Fillojnë përgatitjet për krijimin e shërbimit të kardiokirurgjisë pediatrike

Ministria e Shëndetësisë ka bërë të ditur se është iniciuar krijimi i shërbimit të kardiokirurgjisë pediatrike për fëmijët me sëmundje kongjenitale të zemës.

Përmes një komunikate Ministria thekson se ky veprim erdhi për avancim të shëndetesisë dhe zvogëlim të rasteve që referohen për trajtim jashtë vendit.

“Ministri i Shëndetësisë, Dr. Rifat Latifi, bazuar në strategjinë për avansimin e shëndetësisë kosovare dhe nevojën për zvogëlimin e numrit të referimit të rasteve për trajtim jashte institucioneve publike shëndetësore,përmes kërkesës së drejtuar sot tek Bordi i SHSKUK-së, ka iniciuar krijimin e Shërbimit të Kardiokirurgjisë Pediatrike, për fëmijët me sëmundje kongjenitale të zemrës”, thuhet në njoftim.

Tutje, në njoftim theksohet se ministria do sigurojë trajnim të personelit dhe do bëjë furnizim me pajisjet e nevojshme.

“Ministri Latifi ka potencuar se Ministria e Shëndetësisë do të sigurojë trajnimin e personelit përkatës dhe do të bëjë furnizimin e paisjeve të nevojshme edhe përmes përkrahjes nga partnerët tanë ndërkombëtarë”, thuhet më tej nga Ministria.

Lidhur më këtë, ministri i Shëndetësisë Rifat Latifi ka kërkuar identifikim sa më të shpejtë të personelit që do dërgohet për trajnim jashtë Kosovës.

“Pasi që trajnimi i kardiokirurgëve, infermierëve dhe personelit tjetër është parashikuar të fillojë në muajin Shtator 2022, Ministri Latifi ka kërkuar nga menaxhmenti i SHSKUK-së që sa më herët të identifikojë personelin përkatës që do të dërgohet për trajnim jashtë Kosovës në një nga vendet me sistemin më të zhvilluar në botë për kardiokirugji te fëmijët”, theksohet tutje në njoftimin e Ministrisë.