FFK paraqet ankesë në FIFA ndaj ekipit të Serbisë në Botërorin “Katari 2022”

Federata e Futbollit e Kosovës ka njoftuar se sot ka paraqitur ankesë në FIFA pasi sipas tyre, para ndeshjes Serbi-Brazil në Katar, në zhveshtoren e kombëtares së Serbisë është vendosur një flamur, ku, sipas tyre, shihej harta e Kosovës me ngjyrat e flamurit serb, me mbishkrimin “Nuk ka dorëzim”.

Sipas FFK-së, akte të tilla të shoviniste nuk kanë vend në një ngjarje sportive, e aq më pak brenda objekteve ku zhvillohet ngjarja më e madhe e futbollit botëror.

FFK kërkon nga ky institucion që të ndërmarrë masa “sanksionuese ndaj veprimeve që nxisin urrejtje mes popujve dhe janë kundër vlerave njerëzore”.

“Derisa Evropa e bota po ballafaqohen me një krizë të madhe si pasojë e agresionit të paprovokuar të Rusisë në Ukrainë, një kompeticion kaq madhështor siç është Kampionati botëror, duhet të jetë vend i mbizotërimit të thirrjeve për paqe, e jo të përdoret për të nxitur urrejte mes popujve” – thuhet në reagimin e FFK-së.

“Kosova është shtet i pavarur dhe demokratik, me respektim maksimal të të drejtave të njeriut dhe i pranuar nga shtetet më të fuqishme botërore dhe si e tillë do ta vazhdojë rrugëtimin e saj, pa marrë parasysh provokimet si ky i fundit. Mirëpo, është e papranueshme që ky akt të kalojë në heshtje, prandaj kërkojmë fuqishëm që FIFA të zbatojë në përpikëri rregullat e saj dhe të ndëshkojë Federatën e Futbollit të Serbisë për këtë veprim agresiv dhe kundër vlerave që i përçon futbolli”- vijon reagimi

Mesazhi shovinist në dhomat e zhveshjes së ekipit kombëtar të Serbisë në futboll | Foto nga Twitter

Serbia është mundur mbrëmë me rezultat 2-0 nga Brazili në lojen në kuadër të Kupës së Botës “Katar 2022”.

Po ashtu edhe ministri i Sportit Hajrulla Çeku ka reaguar në Twitter

“Imazhe të turpshme nga dhoma e zhveshjes së Serbisë, duke shfaqur mesazhe urrejtjeje, ksenofobike dhe gjenocidale ndaj Kosovës, duke shfrytëzuar platformën e Fifa World Cup” – ka shkruar ministri Çeku në Twitter.