Parandalohet futja ilegale e rreth 35 mijë eurove në kalimin kufitar në Jarinje

Dogana e Kosovës dhe Policia e Kosovë kanë parandaluar futjen ilegale të rreth 35 mijë eurove nga kalimi kufitar në Jarinje.

Sipas Doganës, vetura përmes të cilës është tentuar futja e parave ka qenë me targa të Serbisë ndërsa vozitësi ka qenë qytetar i Kosovës.

Të njëjtit, bazuar në nenin 33 paragrafi 5 i ligjit 05/L-096 (Ligji për pastrimin e parave dhe luftimin e financimit te terrorizmit), palës i janë konfiskuar 25% apo 8,680.00 euro e mjeteve të padeklaruara, ndërsa 75% apo 26,040.00 euro e mjeteve janë ndaluar me urdhër të Prokurorit për hetime të mëtutjeshme.

Ky operacion është kryer në bashkëpunim në mes të Doganës dhe Policisë së Kosovës si plan operativ i koduar “Luftimi kontrabandës”.

“Për arsye të dyshimit të bazuar dhe informatave të siguruara përmes rrugëve operative,  vetura në fjalë është selektuar për kontroll në vijën e dytë ku i është bërë kontrolli detal nga zyrtarët doganor dhe policor. Gjatë kontrollit të veturës  janë zbuluar mjete monetare të pa deklaruara në shumën prej 34.720.00€.  Për trajtim të mëtutjeshëm rasti në fjalë është trajtuar nga hetuesia e doganës dhe Prokurori i Prokurorisë Speciale”, thuhet në komunikatë.

Dogana e Kosovës fton qytetarët të njoftojnë secilin rast të sjelljes jo etike të zyrtarëve doganor në numrin e telefonit 080050095.